Blagoevgrad, xhamat e klubit maqedonas i kanë thyer bashkë me gratë e tyre!
Blagoevgrad, xhamat e klubit maqedonas i kanë thyer bashkë me gratë e tyre!

Policia bullgare zbuloi sulmuesit e klubit kulturor maqedonas “Nikolla Vapcarov” në Bllagoevgrad. Sipas mediave vendase bëhet fjalë për katër persona rreth të 40-tave. Dy prej tyre janë të punësuar në sektorin e Gjelbërimit në komunën e Bllagoevgradit dhe sulmin e kanë kryer mbrëmjen e së shtunës së bashku me bashkëshortet e tyre. Në polici ata e pranuan veprën dhe theksuan se ishin të indinjuar nga mënyra se si u ndaluan në kufi bullgarët, që donin të shkonin në Shkup për të festuar ditëlindjen e Goce Dellçevit. Policia në Bllagoevgrad theksoi se personat do të akuzohen për huliganizëm. Nga ana tjetër, kryetari Ilko Stojanov, ka vendosur që të mos i ndëshkojë punëtorët e tij.
“Kur në Maqedoninë e Veriut do t’i ndëshkojnë doganierët, policinë kufitare dhe të gjithë zyrtarët që shkaktuan kaos në kufi në ditën e nderimit të Goce Dellçevit, dhe kur t’i shkarkojnë ata zyrtarë, unë menjëherë do t’i shkarkoj punonjësit e mi dhe do të ketë reciprocitet në dënimet”, deklaroi Ilko Stojanov – kryetar i komunës së Blagoevgradit. /Alsat.mk