“Branitellat”, Mickoski: Propozimi i LSDM-së, përpjekje për tensione ndëretnike

“Branitellat”, Mickoski: Propozimi i LSDM-së, përpjekje për tensione ndëretnike

Gazetar: Suad Bajrami

Kryeministri Hristijan Micoski deklaroi se i mbështet “branitellat”, por propozim-ligji i LSDM-së është për të shkaktuar tensione ndëretnike. Sipas tij, opozita maqedonase, bashkë me atë shqiptare po mundohen të luajnë në kartën etnike, në mungesë të ofertës dhe propozimeve ekonomike.

“Fillimisht duhet ta dini se “branitellat” e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë pamëdyshje mbështetjen time. Ky ligj i cili dje ishte në rend dite është dorëzuar nga deputetja Sllavjanka Petrovska, gjegjësisht nga LSDM. Është interesante që kur votohej nevoja për miratimin e rendit të ditës, LSDM e lëshoi seancën. Pse këtë e theksoj, pasi që vetë deputetja dhe LSDM, nuk e dorëzojnë ligjin pasi që ua mendojnë të mirën branitellave, por e dorëzojnë që të krijojnë gjendje të këtillë, të cilën e parashtroni në pyetjen tuaj. Që të krijojnë tensione etnike, të krijojnë padurueshmëri etnike e kështu me radhë. Pasi që ajo është karta, me të cilën edhe ata, edhe partitë tjera opozitare pa dallim nëse janë nga blloku maqedonas ose shqiptar do të luajnë në periudhën që vijon”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Por nga LSDM-ja, e cila 7 vite ishte në pushtet dhe gjatë kësaj periudhe nuk e ngriti çështjen e branitellave, sot thekson se ligji bëhet për t’i plotësuar nevojat e qytetarëve. Venko Filipçe tha se partia e tij është e gatshme që të diskutojë me të gjitha palët në Kuvend me qëllim të arsyetimit të këtij ligji.

“Ky ligj është me qëllim që t’i dilet në ndihmë nevojave reale të qytetarëve edhe të personave që kanë invaliditet, që kanë mbijetuar por edhe familjeve që kanë anëtarë të vdekur. Kështu që vlerësoj se gjithçka që mund të bëjmë në interes të qytetarëve ne e bëjmë dhe do ta bëjmë edhe më tej. Dhe këtu aspak nuk ka asnjë dimension të ndonjë ndarjeje etnike ose nxitje të tensioneve ndëretnike”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Propozim-ligji i cili është bllokuar në komision, ka hasur në kundërshtim të ashpër nga partitë shqiptare, të cilat theksojnë se nuk mund të ketë zgjidhje për “Branitellat”, pa pasur zgjidhje edhe për ish ushtarët e UÇK-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button