Britania hap një bazë ushtarake në veri të Norvegjisë

Britania hap një bazë ushtarake në veri të Norvegjisë

Ushtria britanike ka njoftuar se do të hapë një bazë ushtarake në veriun e Norvegjisë për të forcuar aftësitë e NATO-s në Arktik, mes shqetësimeve për pushtimin rus të Ukrainës.

Norvegjia e cila kufizohet me Rusinë, refuzon të pranojë baza të përhershme për ushtarët e huaj, Kampi Viking do të hapet për dhjetë vjet në veri të Tromsø dhe do të strehojë komando që do të trajnohen për të luftuar në kushte ekstreme të ftohta.

“Vendndodhja e kampit është ideale për parandalimin e kërcënimeve në rajon dhe i lejon Britanisë të reagojë shpejt nëse është e nevojshme për të mbrojtur krahun verior të NATO-s dhe aleatin e saj të ngushtë, Norvegjinë”, shpjegoi në një deklaratë Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Baza, e vendosur pranë instalimeve ushtarake norvegjeze, do të ruajë praninë e komandove britanike në zonë, ku rreth 1000 morën pjesë në stërvitjet ushtarake këtë dimër.

Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes norvegjeze sqaroi se objekti ishte një qendër e vjetër stërvitore që ishte përdorur fillimisht nga vendet aleate dhe më pas nga marinsat holandezë. “Kampi është norvegjez dhe financohet nga Norvegjia”.

Një anëtare themeluese e NATO-s, Norvegjia ka refuzuar që nga viti 1949 të pranojë baza të përhershme ushtarake të huaja në tokën e saj në kohë paqeje, në mënyrë që të mos provokojë Rusinë fqinje, por rregullisht pret trupat aleate për t’i lejuar ata të stërviten për luftime në të ftohtë.

Mbretëria e Norvegjisë, e cila ndan një kufi 198 km me Rusinë në Veriun e Madh, ka furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake, duke përfshirë sisteme artilerie dhe municione, për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër një pushtimi rus.

LEXO EDHE:

Back to top button