Gazetar: Adnan Qaili
Përplasje të shumta mes deputetëve të pozitës dhe opozitës lidhur për propozimin buxhetin për vitin 2024, në veçanti për investimet kapitale. Spikati debati për Korridorin 8 dhe 10-d projekte të promovuara nga LSDM-BDI. Deputeti i Opsionit Qytetar- GROM, Lupço Prenxhov kritikoi deputetët e BDI-së se kanë votuar për 20 vite pro buxheteve, por sipas tij, asnjëherë nuk ju janë përgjigjur qytetarëve shqiptarë përse nuk u bë autostradat Tetovë-Gostivar-Kërçovë. Ai tha se kur ndahet kulaçi i buxhetit, të parët janë të BDI-së që përfitojnë nga paratë publike.
“Kurioziteti është që në 20 vitet e kaluara e vetmja parti politike që gjithmonë ka votuar PRO gjitha këtyre buxheteve është BDI-ja. Së pari votuat për Shkupin 2014 që tani e kritikoni, pastaj votuat për buxhetet para zgjedhore me LSDM-në, çfarëdolloj buxheti i thatë PO për dy dekada dhe miqtë tanë shqiptarë thonë kur BDI i votoi buxhetet e para i ngjante një Shoqërie me përgjegjësi të kufizuara të bazuara në një person. Sot pas 20 viteve kur kanë votuar për 20 buxhete në Kuvend me vlerë mbi 50 miliard euro, i ngjani një Shoqërie aksionare ‘DUI-ing busniness’”, tha Lupço Prenxhov, Deputet i “Opsionit Qytetar për Maqedoninë”.
Deputetje e BDI-së Fisnike Bekteshi-Shaqiri tha se projektet infrastrukturore janë të parapara në çdo rajon të Maqedonisë.
“Për infrastrukturën rrugore janë paraparë ndërtimi i një segmenti të Korridor 8, zgjerimi i autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimi i rrugës Strugë-Qafë Thanë-Trebenishtë dhe Kërçovë-Bukojçani dhe në pjesën nga Prilepi deri në Manastir. Do të përgatitet edhe projekti urbanistik për ti lidhur Tetovën me Prizrenin. Korridori 8 nga Rankovce për Krivo-Pallankë drejtë kufirit me Bullgarinë. Po ashtu nga Kërçova në Ohër dhe nga Shkupi në Bllacë”, tha Fisnike Bekteshi-Shaqiri, Deputete e BDI-së.
Deputeti i VMRO DMPNE-së Antoni Milloshovski tha se buxheti i ri ka trefishuar koston e kamatave të huamarrjeve nga kreditë dhe bonot. Ai hodhi dyshime se paranë publike dikush po e vjedh e keqpërdor.
“Historikisht, mesatarja e kamatave të huamarrjeve deri në 2020 ishte 97 milion euro në vit, vetëm kamata nga borxhet dhe bonot. Në këtë buxhet, për herë të parë do të kemi 273 milion euro kosto vetëm të kamatave të huamarrjeve për vitin 2024, kurse në vitet tjera kjo kostot do të rritet më tepër. Edhe pse kemi buxhetin më të lartë sërish nuk e kemi autostradën Kërçovë-Ohër! Radmilla Sheqerinska, Boçvarski dhe Ministri Sugarevski 5 vite premtojnë që do të jetë vitin e ardhshëm por këtë askund nuk e kemi. Parat ose janë vjedhur ose dikush nuk ka punuar ashtu siç duhet”, theksoi Antonio Milloshovski, deputet VMRO-DPMNE.
Në ditën e parë të debatit, i cili filloi të premten, Ministri i Financave Fatmir Besimi vuri në dukje se buxheti i propozuar do të sigurojë një rritje të qëndrueshme ekonomike, vazhdim të konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmëri fiskale, mbështetje të synuar për kategoritë më të prekura. Sipas dinamikës së paraparë dhe afatit ligjor, pas shterimit të debatit në Kuvend, Buxheti ri për 2024 pritet të votohet të mërkurën më 27 dhjetor. Projekt-buxheti i vitit të ardhshëm vlen 5.5 miliardë euro. /Alsat.m








