Çerdha në Tearcë assesi të vihet në funksion

Çerdha në Tearcë assesi të vihet në funksion

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Edhe pse ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshevc të Komunës së Tearcës përfundoi disa muaj më parë, në funksion nuk është lëshuar ende. Kjo detyron prindërit që fëmijët e tyre ti dërgojnë në çerdhet e qytetit të Tetovës ku shpesh herë si pasojë e mbipopullimit të tyre, mbeten pa u regjistruar fare. Banorët thonë se çerdhja duhet të hapet sa më parë pasi janë qindra fëmije që nuk kanë se ku ta kalojnë ditën.

“Na duhen shumë që moti edhe atë por kur do filloj një Zot e di. Unë kam nipëri mbesa plot në shtëpi, i mbajmë vet ne pleqtë me tre fëmijë rrimë aty. Ka shumë që presin këtë çerdhe çdo ditë presin të hapet”, tha një banor.

“Na thonë se do hapet por tani për tani se kanë hapur. Po duhet ta hapin se në Tetovë i dërgojmë fëmijët. Tu e pas ta çelin ja rrinë ende se kanë hap”, tha një banor tjetër.

“Mendoj se është tepër e nevojshme si për fshatin edhe për rrethinën, për komunën. Deri në qytet besoj i dërgojnë fëmijët, larg është”, theksoi një banor tjetër.

Kontaktuam edhe komunën e Tearcës, nga ku kreu i saj Nuhi Neziri pranoi se ka pasur vonesa, ndërsa premtoi se, çerdhja do hapet brenda ditësh.

“Është e vërtetë. Por, nga ana e komunës dhe investitori që është Komisioni Evropian, bashkë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, janë koordinuar dhe kam marrë konfirmimin se gjithë dokumentacioni i kërkuar nga revizioni është dorëzuar për verifikim dhe përmbyllet ky proces dhe ne do marrim pranimin e këtij objekti dhe pastaj bëjmë procedurat për themelimin e dhe hapjen e çerdhes”, u shpreh Nuhi Neziri, Kryetar i Komunës së Tearcës.

Ndryshe, komuna e Tearcës e cila deri më tani ishte pa çerdhe për fëmijët, ka gjithsej rreth 600 fëmijë që presin për tu dërguar në çerdhe, ndërsa këtij numri, gjithsesi se do i shtohen edhe fëmijët e komunave për rreth siç është Jegunoci, sepse kapacitetet e çerdhes së re janë të mjaftueshme për pranimin e fëmijëve edhe nga fshatrat përreth. Çerdhja në komunën e Tearcës filloi të ndërtohet dy vite më parë, ndërsa ishte Financim i përbashkët i Komisionit Evropian, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale si dhe komunës së Tearcës, në vlerë prej rreth 1.5 milion eurove./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button