Çka po ndodhë me BDI-në? – Këto janë komentet e partive

Çka po ndodhë me BDI-në? – Këto janë komentet e partive

Gazetare: Fatlume Dervishi

Partia drejtuese e koalicionit qeveritar refuzon të komentojnë drejtpërdrejtë zhvillimet në BDI, shkruan Alsat.

LSDM-ja beson se pavarësisht përplasjeve që prekin edhe grupin parlamentar të BDI-së, shumica parlamentare është stabile.

“Bëhet fjalë për zhvillime të brendshme partiake. Dje edhe kryetari i BDI-së doli me deklaratë kështu që unë më shumë nuk do të komentoja. Ajo që mund të them është se për momentin shumica parlamentare është stabile kurse qeveria është plotësisht e fokusuar në krizën ekonomike, krizën energjetike si dhe në procesin e skriningut që është duke u zhvilluar”, tha Daniella Nikollova, deputete e LSDM-së.

Përplasjet e brendshme në BDI janë dukuri normale në parti që nuk ka arritur ta reformojë veten me kohë, vlerëson partneri tjetër në qeveri, Alternativa. “Ne e kemi kaluar atë grip dhe e dimë mirëfilli dëmin që shkaktohet nga ato plasaritje”, thonë nga partia e Afrim Gashit.

“Sidoqoftë, kjo nuk ka të bëjë fare me Alternativën dhe ne e vazhdojmë rrugën tonë, duke qenë të përqendruar në detyrat që ia kemi vënë vetes. Sa i takon pjesës së shumicës parlamentare, nuk mendojmë se ka ndonjë problem. Ajo vazhdon të jetë stabile, madje, siç e shihni nga deklaratat e partive dhe deputetëve të tjerë, ka edhe deputetë dhe parti që mezi presin të marrin ftesë për t’iu bashkuar kësaj shumice”, thonë nga Alternativa.

Ndërkaq opozita shqiptare i sheh këto zhvillime si më serioze. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari madje pret edhe shpërndarje të BDI-së.

“Unë deri dje mendoja se është episodi i ardhshëm i një filmi të shikuar por mendoj se është shumë më e thellë se sa kaq. Do të presim. Nuk duam të hymë dhe të komentojmë zhvillimet në partitë tjera politike por mendoj se dalëngadalë po ndodh shpërbërja e BDI-së. Por, ta shohim, t’ia lëmë kohës t’i tregojë të gjitha ngjarjet deri në fund”, u shpreh Arben Taravari, ushtrues detyre kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Zhvillimet në BDI deri tani nuk i ka komentuar VMRO-DPMNE-ja. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button