Debati për ndryshimin e modelit zgjedhor po rikthehet në skenën politike
Debati për ndryshimin e modelit zgjedhor po rikthehet në skenën politike
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Ish-deputeti Muhamet Halili vlerëson se ideja për model zgjedhor me një njësi të vetme zgjedhore, në vend të gjashtë njësive aktuale, është progresive, por vetëm nëse shoqërohet me lista të hapura. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, dhe jo për këtë të vendosin si liderët e partive sikurse deri më tani. Halili thekson se ky model zgjedhor nuk do të ishte në dëm të shqiptarëve.
“Kryesorja është se këtu ka një progresivitet në mendimet e partive politike sepse gati njëzëri gjithë mendojnë se përfundimisht listat duhet të jenë të hapura dhe kjo mundëson që egoja e liderëve të partive politike të bjen në nivelin mirëkuptues ndaj zgjedhësit dhe është më demokratike, kështu që, brenda një partie zgjedhësi të votoj atë që mendon se ka kapacitet, sipas kontributit, meritave shkollimit e tjera. Unë mendoj se një njësi zgjedhore është e kapshme. Ka analiza që thonë se humbin shqiptarët por nuk jam i bindur në argumentet e tyre sepse definitivisht, deri më tani shqiptarët kanë qenë humbës prej zgjedhjes së liderëve të partive që kanë zgjedh njerëz të dëgjueshëm që do i urdhërojnë e që do i plotësojnë apetitet e tyre familjare politike, dhe shumë relative është ajo humbin apo fitojnë shqiptarët. Shqiptarët fitojnë nëse zgjedhin njerëz të mirë, e për njerëz të mirë vendos vetë ai që zgjedh”, tha Muhamed Halili, Analist politik.
Nga ana tjetër, Halili vlerëson se nuk është e nevojshme aspak që të vihet pragu prej 5 për qind.
“Pragu nuk duhet vënë. Nuk duhet të ketë kapriço një për qind, pesë për qind sepse vetvetiu kur flasim për pesë për qind, ua pamundëson partive më të vogla apo qytetarëve që edhe ata ta prezantojnë qëndrimin e tyre në parlament dhe kjo është më tepër mbrojtje e interesit vetanak partiak e asgjë më shumë”, u shpreh Muhamed Halili, Analist politik.
Tema e ndryshimit të modelit zgjedhor u hap në takimin e liderëve që u mbajt pak ditë më parë. BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja dikur mbronin modelin me gjashtë njësi. Tani të dy partitë janë dakord për një njësi, me lista të hapura. VLEN nuk ka një qëndrim të prerë ndërsa ASH-ja e Ziadin Selës kërkon modelin me tetë njësi zgjedhore, aq sa janë rajonet zhvillimore. /Alsat.mk








