Dëmtojnë mjedisin dhe nxisin kaos – OJQ-të me thirrje për mos-dekretimin e ligjit për planifikim urbanistik
Dëmtojnë mjedisin dhe nxisin kaos – OJQ-të me thirrje për mos-dekretimin e ligjit për planifikim urbanistik
Gazetare: Melihate Rustemi
Mbi 20 organizata joqeveritare kërkojnë nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova të mos nënshkruaj Ligjin për planifikim urbanistik i cili dy ditë më parë u miratua me procedurë të përshpejtuar në kuvend, shkruan Alsat.
Organizatat për mbrojtjen e ambientit kujtojnë se ndryshimet ligjore u hapin derën kaosit urbanistik dhe ndërtimeve të reja vend e pa vend e madje pa konsultuar dhe pa marr mendimin e qytetarëve që tashmë banojnë në ato lokacione.
OJQ-të shprehen të revoltuar ndaj ministrit të Transportit, Aleksandar Nikollovski i cili pavarësisht se i ftoi në seancën e Kuvendit nuk mori parasysh vërejtjet e tyre.
“I lutemi dhe kërkojmë nga presidentja e vendit të mos e firmos dekretin për shpalljen e tij, ta kthejë sërish në shqyrtim në Kuvend, të mundësohet një debat i gjerë publik, gjegjësisht ndryshimet e miratuara ose miratimi i ligjit të bëhet me procedurë të rregullt. Deklaratat tona dëshmojnë se sektori civil është plotësisht i organizuar dhe kërkojmë nga presidentja të reagojë në mënyrën e duhur dhe të mundësoj të dëgjoj të gjitha palët e prekura më këtë ligj sepse ky ligj prek të gjithë qytetarët sepse ka të bëj edhe me mjedisin jetësor”, tha Tatjana Stojanovska, Iniciativa O2.
Gjithashtu, OJQ-të vlerësojnë se qytetet dhe komunat në vend janë të mbipopulluara, pa hapësirë publike, pa gjelbërim publik dhe pa trotuare. Siç thanë përfaqësuesit e tyre kjo nënkupton se nuk ofrojnë as një cilësi minimale të jetës për qytetarët.
“Ky është provimi i parë i presidentes të mos e nënshkruajë këtë dekret. Të mos lejoj që kaosi të bëhet edhe më kaotik. Shpresojmë që do të rikthehet në procedurë parlamentare që të mund të përfshihemi ne, urbanistë, planifikues dhe ekspertë që të bëjmë një plan të mirë i cili në vend se të shkaktojë dëm të bëj gjëra të mira për të gjithë, posaçërisht për të rinjtë”, u shpreh Darko Arsovski Petrovski, Go Green.
Dy ditë më parë, Kuvendi me 64 vota “pro” dhe 11 “kundër” në mënyrë eksprese dhe pa debat miratoi ndryshimet në Ligjin për Planifikim Urbanistik, të propozuara nga ministri i Transportit. Aleksandar Nikolloski. Ky i fundit tha se ndryshimet u bën me procedurë të shkurtuar për shkak të interesit publik të cilat do të mundësojnë të ndërtohen shkolla, spitale, kopshte si dhe garazhe shumëkatëshe./ Alsat.mk