Mickoski ka tregues për destabilizim etnik – BDI: Skenarët për destabilizim, të qeverisë
Mickoski ka tregues për destabilizim etnik – BDI: Skenarët për destabilizim, të qeverisë
Gazetare: Fatlume Dervishi
Elementë të caktuar, mes të cilëve edhe ish funksionarë, përpiqen të shkaktojnë përplasje dhe të destabilizojnë harmoninë ndëretnike në vend, tha kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë aktivitetit të sotëm në Drejtorinë e doganave.
“Kemi indikacione për elementë që kanë shuma të mëdha parash në miliona, disa prej tyre janë zyrtarë të lartë në qeveritë e mëparshme dhe që po përpiqen të mobilizojnë njerëzit në terren, kryesisht për të manipuluar, dhe ajo që më shqetëson posaçërisht është se ata po përpiqen të provokojnë një konflikt etnik, pra destabilizimin e harmonisë ndëretnike në Maqedoni. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë sepse ata e kuptojnë se përndryshe nuk mund të mobilizojnë njerëzit dhe tani mënyra e vetme është të provokojnë këtë lloj konflikti. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski nuk zbuloi se as për cilët funksionarë bëhet fjalë dhe si ta parandalojë një gjë të tillë. Megjithatë ftoi qytetarët të përmbahen nga provokime të tilla dhe t’i injorojnë ato. Herët ose vonë, tha ai, autorët e këtyre provokimeve do të mbajnë përgjegjësi.
Por, në një takim me ambasadorin e BE-së në Shkup Dejvid Gir, kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se Qeveria krijon skenarë për destabilizim, që të fajësojë të tjerët.
“Kryetari Ahmeti elaboroi draft platformën për legjitimitet të përgatitur nga autori i Marrëveshjes së Ohrit Paul Ëilliams dhe PILPG, opinionet e ekspertëve vendorë dhe hapat që BDI dhe Fronti Evropian do të ndërmarrin në mbrojtje të legjitimitetit. Z. Ahmeti foli edhe për paralajmërimet tendencioze të kryeministrit Mickoski për destabilizimin, duke ngritur shqetësimin për inskenim të mundshëm të qëllimshëm të qeverisë duke fajësuar të tjerët për të defokusuar opinionin nga dështimet e qeverisë”, thonë nga BDI.
Aktivitetet për mbrojtje të legjitimitetit, siç kanë thënë nga BDI, janë njoftuar të fillojnë nga muaji shtator. / Alsat.mk