Diddyt për herë të tretë i mohohet mbrojtja në liri
Diddyt për herë të tretë i mohohet mbrojtja në liri
Reperit, P. Diddy i është refuzuar për herë të tretë kërkesa për mbrojtje në liri nga një gjykatës në qytetin e New York-ut, për shkak të shqetësimeve për mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët dhe sjelljes së tij në burg.
Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs po mbahet në qendrën e paraburgimit në Brooklyn nën akuzat për krime seksuale, ka shkruar BBC.
Gjykatësi, Arun Subramanian, ka theksuar se ka prova që sugjerojnë për përpjekje të Combsit për të manipuluar dëshmitarët, shkelje të rregullave të burgut dhe akuza për udhëheqjen e një “organizate kriminale” që përfshin punë të detyruar dhe kidnapim.
“Gjykata gjen se autoritetet kanë treguar prova të qarta dhe bindëse se asnjë kusht ose kombinim kushtesh nuk mund të garantojë sigurinë e të përfshirëve nëse ai do të lirohej”, ka thënë Subramanian.
Prokurorët kanë kundërshtuar kërkesën e Combs të mbrohet në liri, duke e përmendur abuzimin e tij me komunikimet që bëri në burg për të ndikuar te dëshmitarët dhe për të manipuluar opinionin publik për t’i shërbyer mbrojtjes së tij.
Avokatët e Combsit kanë kërkuar që ai të lirohet për t’i dhënë mundësi përgatitjejes së duhur për gjykimin që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, më herët gjatë këtij muaji, Subramanian urdhëroi që prokurorët të shkatërrojnë gati 20 faqe dokumentesh të sekuestruara gjatë një kontrolli të fundit në qelinë e Combs, disa prej të cilave përfshinin dorëshkrime për strategjinë e tij ligjore.
Combs, i cili akuzohet për krime të rënda seksuale, me padi të shumta të ngritura ndaj tij që nga fundi i vitit të kaluar, është arrestuar në muajin shtator. Lirimi me kusht i është mohuar tashmë tri herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh amerikanë.
Gjykimi ndaj tij pritet të nisë në muajin maj të vitit 2025.