Gazetar: Ile Petrevski
Rritja e qëndrueshme ekonomike nuk është e mundur pa digjitalizimin e duhur të institucioneve, shkruan Alsat.
Ky është përfundimi i raportit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili i dedikohet jo vetëm vendit, por edhe tridhjetë vendeve të tjera. Në analizë thuhet gjithashtu se Maqedonia duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje ikjes së fuqisë punëtore të kualifikuar jashtë vendit, e cila nga ana tjetër është vendimtare për digjitalizimin.
“Vëmendja më e madhe duhet t’i kushtohet reduktimit të ikjes së fuqisë punëtore të kualifikuar, veçanërisht me shkathtësi digjitale, si dhe promovimit të trajnimit digjital nga punëdhënësit. Sa më të kufizuara të jenë shkathtësitë digjitale, aq më e vështirë është përdorimi i teknologjive të reja dhe aq më të kufizuara janë perspektivat e rritjes në një botë, që po merr përsipër sektorin digjital”, deklaroi Anita Angelovska-Bezhoska -Guvernatore e Bankës Popullore.
Krahasuar me vitet e kaluara, Banka Evropiane thotë se ka përmirësim, por rekomandon që për momentin theksi duhet të jetë në rritjen e aftësive dixhitale në arsim. Raporti i bankës tregon se indeksi i digjitalizimit në shkallën nga 100, Maqedonia është në nivelin 59 për qind sa i përket kushteve të nevojshme për digjitalizim, dhe 48 për qind për sa i përket përdorimit të teknologjive digjitale nga kompanitë dhe qytetarët. Sipas autoriteteve, vendi është në një nivel afër mesatares rajonale, por larg rezultatit të dëshiruar prej mbi 70%. Të dhënat tregojnë se infrastruktura digjitale dhe shkathtësitë digjitale në vendin tonë nuk kanë ndryshuar shumë në pesë vitet e fundit./Alsat.mk








