Djimon Hounsou: S’paguhem sa duhet ani pse kam karrierë të bujshme

Djimon Hounsou: S’paguhem sa duhet ani pse kam karrierë të bujshme

Aktori Djimon Hounsou, i nominuar dy herë për çmimin “Oscar”, ka folur rreth problemeve financiare, duke thënë se, megjithëse është i suksesshëm në karrierën e tij në Hollywood, ai ende “po lufton për t’i mbuluar shpenzimet e jetës së përditshme dhe nuk është paguar si duhet.

Aktori, i njohur për rolet e tij në filma si “Gladiator”, “Amistad” dhe “Blood Diamond”(për të cilin mori nominim për “Oscar”), ka shprehur shqetësimin se ndonëse ka pasur mundësi të luajë në projekte të mëdha dhe filma të famshëm, ai nuk është kompensuar në mënyrë të drejtë. 

“Unë ende po luftoj për të bërë një jetë të mirëfilltë. Kam bërë filma për më shumë se dy dekada, kam dy nominime për ‘Oscar’, kam marrë pjesë në shumë filma të suksesshëm, dhe megjithatë ende po luftoj financiarisht. Patjetër që nuk jam paguar sa duhet”, ka thënë ai gjatë një intervistë për CNN.

Hounsou, që ka luajtur gjithashtu në filma si “Guardians of the Galaxy”, “Furious 7”, “Captain Marvel” dhe “Shazam”, ka pranuar se ka pasur shumë punë, por problemi i pagës së ulët vazhdon. 

Ai ka kujtuar përvojën e tij të parë me filmin “Amistad”  të regjisorit Steven Spielberg, ku, megjithëse ishte lavdëruar për rolin, sipas tij ishte injoruar për një nominim “Oscar”.

“Më nominuan për ‘Golden Globe’, por për ‘Oscar’ më injoruan, duke thënë që ata mendonin se nuk i dija gjërat”, ka thënë  tutje ai.

Mospagesën ai e lidh me siç ka thënë, racizmin sistematik në industrinë e filmit. 

“Kjo është një shenjë për ju që racizmi sistematik nuk mund të trajtohet lehtësisht. Ai është i ngulitur thellë në gjithçka që bëjmë”, ka thënë aktori.

Kjo nuk është hera e parë që Hounsou flet për pabarazinë në pagë për njerëzit me ngjyrë në Hollywood. Në promovimin e filmit “Shazam! Fury of the Gods”, ai ka thënë se ndihet “i mashtruar” për shkak të padrejtësive që ka përjetuar gjatë karrierës.

“Kam filluar në këtë biznes me disa njerëz që janë shumë të pasur dhe kanë shumë më pak çmime se unë”, pati thënë ai për The Guardian.

Ai gjithashtu pati përmendur fjalët e aktores Viola Davis, e cila sipas tij, e ka përshkruar më së miri këtë problem.

“Ajo ka fituar një ‘Oscar’, një ‘Emmy’, një ‘Tony’, dhe ende nuk mund të paguhet si duhet”, ka thënë ai.

Përveç angazhimit të tij në aktrim, Hounsou ka krijuar edhe “Fondin Djimon Hounsou”, që synon të krijojë një lidhje të fortë mes vendeve të diasporës afrikanë dhe atdheut. “Në kërkimet që bëra për ‘Amistad’, u bëra shumë i vetëdijshëm për shkëputjen që ka diaspora afrikane nga rrënjët dhe kultura e saj. 

Kjo më shtyu të bëja diçka për popullin tim dhe kontinentin tim, dhe kjo ishte arsyeja që krijova fondacionin tim”, pati thënë aktori.

LEXO EDHE:

Back to top button