Dogan Frigo & Klima feston suksesin më të fundit, hap objektin e ri në zonën e Vizbegut

Dogan Frigo & Klima feston suksesin më të fundit, hap objektin e ri në zonën e Vizbegut

Të enjten, me datë 20 korrik, kompania e madhe e sistemeve të ftohjes dhe ngrohjes Dogan Frigo & Klima hapi dyert e objektit të ri në zonën e Vizbegut. Në këtë mbrëmje solemne dedikuar inaugurimit e zyrave të reja, me një hapësirë prej 2000 m2, morën pjesë shumë miq, bashkëpunëtorë, klientë dhe familjarë për të përuruar kompaninë në hapin e ri për të qenë më afër klientit dhe me cilësi gjithmonë e më të lartë.

Në fjalimin e tij përshëndetës, pronari i kompanisë, Faik Bekteshi, bir i themeluesit tashmë të ndjerë Selajdin Bekteshi – Bekçe, me entuziazëm të madh shprehu dedikimin e pandalur të kompanisë për të rritur efikasitetin dhe performancën e tyre me qëllim që të bëhet lider i industrisë të kësaj fushe në Ballkan, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme energjetike dhe të përshtatshme për mjedisin. “Ne investojmë në mënyrë të pandërprerë në Kosovë, Serbi dhe në gjithë Ballkanin, duke iu përmbajtur standardeve më të larta të cilësisë dhe shërbimit.”, theksoi Bekteshi. Ai tha se çdo sukses i kompanisë i dedikohet babit të tij, i cili kishte ëndrrën për ta themeluar dhe zhvilluar Dogan Frigo dhe një përkushtim të rrallë.

Njëkohësisht, drejtori gjeneral Zekerija Dardhishta ndau me emocion të veçantë gëzimin dhe vizionin për të ardhmen. “Ky hap që po hedhim me objektin e ri nuk është vetëm sukses për ne, por është suksesi i të gjithëve që kontribuojnë në ëndrrën që lindi me Selajdinin dhe që vazhdon sot me përpjekjen e një ekipi shumë më të madh. Është sukses edhe për ju miqtë dhe klientët tanë, sepse me rritjen e kompanisë rritet dhe cilësia e shërbimit dhe qasja jonë ndaj jush bëhet gjithmonë e më e mirë”, u shpreh Dardhishta.

Në këtë mbrëmje Dogan Frigo & Klima u ndau mirënjohje partnerëve të tyre, kompani në Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, pa të cilët suksesi nuk do të ishte i këtyre përmasave. Këto janë Cantas, Ercan Teknik, Artec dhe Planer, Steelsoft, Pakom Kompani dhe Metalterm.

Dogan Frigo u formua në vitin 1990 nga Selajdin Bekteshi, së pari si kompani për servisim të frigoriferëve dhe teknikë të ftohjes. Më vonë fillon bashkëpunimi me Cantas, i cili vazhdon fuqishëm edhe sot. Dyqani i parë i kompanisë ishte vetëm 15m2, ndërsa në vitin 2000 zgjerohet në një hapësirë prej 120m2. Dalngadalë, kompanisë fillojnë t’i shtohen punëtorë të rinj dhe sektori i klimatizimit, të ngrohjes. Me forcë të shumëfishuar, kompania përhapet fillimisht në qytetet Prizren dhe Ferizaj të Kosovës, ndërsa, në 2010 Dogan Frigo hapet edhe në Prishtinë me çka shtohet në mënyrë të theksuar numri i punëtorëve. Zgjerimi më i madh i kompanisë ndodh pas 2013, kur u realizuan hapje në pikat e reja Momin Potok dhe Gostivar. Aktualisht Dogan Frigo ka 55 punëtorë në Maqedoninë e Veriut dhe 10 punëtorë në Kosovë.

Me objektin e ri Dogan Frigo synon të përmbushë misionin për të ofruar zgjidhje të personalizuara të një cilësie të lartë duke kombinuar teknologjinë më moderne në rangun e trendeve botërore.

 

LEXO EDHE:

Back to top button