Kultivuesit e duhanit ankohen për çmimin e shitjes, Hoxha: Optimist për arritjen e zgjidhjes

Çmimi me të cilin kompanitë kërkojnë ta blejnë duhanin nga bujqit është i papranueshëm dhe në dëm të prodhuesve të duhanit thonë prodhuesit e duhanit. Sipas ofertave që i japin kompanitë për momentin, duhan prodhuesit do të kenë humbje prej 20 për qind krahasuar me një vit më parë. Bujku Riza Memeti nga Studeniçani thotë se me sjelljen e këtillë, të kompanive, së shpejt bujqit do të tërhiqen nga prodhimi i duhanit. Kërkon nga institucionet në vend që të mos e lejojnë një gjë të tillë.

Një mijë kilogram i kam. Unë prej një mijë kilogram do ti marrë 140 mijë denarë. Paramendo me 140 mijë denarë një familje me katër anëtarë a do të mund të mbijetojë. Është dallim shumë i madh se 220 denarë dhe 140 është çmim shumë i madh. Në humbje mund të jemi diku 20 për qind, e kur ti llogarisim këta 140 mijë denarë që do i fitojë unë, plus mundi, preparatet, lëvrimi, nafta e të tjera, me të vërtetë bujqit janë në humbje. Nuk kërkojmë asgjë më tepër, ne kërkojmë nga kompanitë që e blejnë duhanin ashtu siç i takon me e vlerësuar – deklaroi Riza Memeti, bujk.

Ministri i Bujqësisë Arjanit Hoxha, deklaroi se gjatë bisedave me duhan prodhuesit, kanë arritur të përmirësojnë më shumë çështje në interes të tyre. Shton se edhe vetë nuk është i kënaqur me çmimin e duhanit. Sipas tij, ekspertët në këtë ministri shqyrtojnë mundësinë për heqjen e klasës së katërt të duhanit, por për këtë duhet pajtueshmëri edhe nga duhan prodhuesit.

Jam në komunikim të vazhdueshëm edhe me prodhuesit e duhanit, ata janë të njoftuar për këtë mundësi se deri ku mund të shkohet. Realisht, për shkak se bëhet fjalë për proces për të cilin për momentin zhvillohet blerja, pasi kemi periudhë të ndjeshme në procesin e blerjes së duhanit, nuk dëshiroj gjithçka në detaje të tregoj në këtë pjesë. Mundësi ligjore ekzistojnë por gjithsesi për këtë duhet pajtueshmëri nga ana prodhuesve të duhanit, pasi mund të ketë pasoja të padëshirueshme -tha Arianit Hoxha, ministër i Bujqësisë.

Megjithatë duhan prodhuesit sot kërkuan takim me kryeministrin Zoran Zaev, për të shpalosur hallet dhe problemet e tyre, të cilat i kanë gjatë procesit për vlerësimin dhe shitjen e duhanit.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button