Ekspertët kritikojnë listimin e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore me konceptin e ri në arsimin fillor

Listimi i gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore për nxënësit joshqiptarë, nuk është modeli adekuat që duhet ta zbatojë një vend shumë-gjuhësor si Maqedonia e Veriut, vlerësojnë gjuhëtarët. Shqipja nuk është gjuhë e huaj, por gjuhë e mjedisit shoqëror dhe si e tillë duhet të jetë obligative, sqaron profesori, Avzi Mustafa. Sipas tij, premtimet parazgjedhore të partive në pushtet se do ta bëjnë shqipen lëndë obligative për nxënësit joshqiptarë mbeti vetëm premtim parazgjedhor.


“Ishte më tepër për pikë politike. Kjo dëshmon se me të vërtetë duhet të zgjidhet në mënyrë parimore. Në qoftë se në këtë shoqëri multi-etnike duhet të komunikojmë, të kuptohemi duhet t’i mësojmë gjuhët në mënyrë të barabartë dhe duhet të jenë gjuhë obligative e këtij shteti- deklaroi Avzi Mustafa, Profesor.

Mustafa thekson se koncepti për arsimin fillor që e promovon Ministrja e Arsimit, Carovska dëshmon se vendi ende nuk e ka stabilizuar sistemin arsimor, por se është në reforma dhe eksperimente të vazhdueshme, në dëm të gjeneratave. Shton madje se koncepti që promovohet si risi nuk është i tillë, pasi është aplikuar në shekullin 19 në Gjermani si “mësim përmbledhës” dhe në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar në ish Bashkimin Sovjetik si “mësim kompleks”. Mustafa është skeptik se koncepti do të realizohet, pasi kërkon ndryshim të strukturës arsimore, metodave të mësimdhënies, librave dhe përgatitjen e tri lloj programeve arsimore të përshtatshme.


“Ka shumë punë dhe besoj se duhet së paku 5 vjet që të zbatohet ky program. Dhe do të jetë pikëpyetje. Sepse këtu ndryshon gjithçka, çdo ministër që vjen nis diçka, kur vie ministri tjetër e kthen në nivelin e mëparshëm. Kështu që ne gjithmonë gjendemi në reforma- pohoi Avzi Mustafa, Profesor.

Kryeministri, Zaev paralajmëroi se për konceptin e ri do të konsultohen mësimdhënësit, universitetet dhe Akademia e Shkencave. Nga ana tjetër, koalicioni opozitar, ASH AAA një ditë më parë akuzoi pushtetin se me konceptin e ri si zgjidhje hibride, me të cilën tenton ta mjegullojë premtimin parazgjedhor, se brenda 100 ditëve të qeverisjes do ta bëjë shqipen lëndë obligative për nxënësit joshqiptarë, që nga klasa e pestë.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button