Karakaçanov: Maqedonasit kanë urrejtje ndaj gjithë popujve, pos serbëve

Zv/kryeministri bullgar, Karakaçanov sërish me akuza të rënda ndaj Shkupit. Sipas tij, maqedonasit i kanë përvetësuar të gjitha figurat historike dhe kanë urrejtje ndaj gjithë popujve tjerë, pos serbëve.  Përsëriti se Sofja nuk i vuri veto Maqedonisë, por se vetë Maqedonia la hapësirë që negociatat të fillojnë pasi të heq dorë nga gjuha e urrejtjes.

Këtu, që nga koha e Jugosllavisë, populli është trajnuar të urrejë, edukohet t’i urrejë bullgarët, shqiptarët, grekët, dashuri kanë vetëm ndaj Beogradit dhe serbëve. Çdo gjë tjetër duhet të urrehet. Për ta, ne jemi për ta tatarë, fashistë dhe okupatorë. Do të del se maqedonasit kanë ekzistuar që nga koha e Apostull Palit dhe se Jezu Krishti ishte maqedonas. Vetëm ne, bullgarët jemi një fis më i ulët”-tha Krasimir Karakaçanov, zv/kryeministër i Bullgarisë.

Ministri i Jashtëm, Osmani tha se pavarësisht gabimit të BE-së për të mos i filluar negociatat me vendin, Maqedonisë së Veriut i mbetet t’i zbatojë reformat, siç tha, për të sjellë më shumë Evropë në vend. Gjatë llogaridhënies para Komisionit parlamentar për punë të jashtme, Osmani u zotua se do të bëjë çmos për ta zhbllokuar integrimin evropian të vendit, përmes zgjidhjes së kontestit me Sofjen.

Fokusi, gjithsesi mbetet Bullgaria. Opsioni më i mirë ende mbetet vullneti për intensifikim të zbatimit të marrëveshjes për miqësi, kthimi i besimit. Edhe përskaj sfidave në marrëdhëniet dypalëshe, në fokus të bashkëpunimit periudhën e ardhshme do të jetë vazhdimi i konsultimeve politike mes dy resorëve, vizitat zyrtare dhe takime të nivelit të lartë”-pohoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Opozita maqedonase insiston se Bullgaria ka mbështetjen e më shumë shteteve anëtare, andaj i kërkon Osmanit që pos Sofjes t’i vizitojë edhe ato vende.

 A planifikoni që pos vizitave në fqinjësi, që janë të nevojshme dhe të dobishme, t’i vizitoni ato shtete anëtare, kryeqytetet e tyre, që të mund, në mënyrë më të mirë të ndikohet ose të binden se zgjerimi ose fillimi i procesit të zgjerimit me Maqedoninë dhe rajonin nuk është në dëm të dikujt”-theksoi Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.

Gjermania do të vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për kontestin mes Shkupit e Sofjes edhe pasi të përfundojë kryesimin me BE-në në fund të këtij viti, tha Ministri i Jashtëm gjerman, Haiko Mas. “Ne jemi të fundit që frenojmë kur bëhet fjalë për këtë temë. Në thelb, kur bëhet fjalë për bllokadën, bëhet fjalë për marrëdhëniet bilaterale midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Njerëzit duhet të mbështeten tek premtimet tona” ka theksuar ndër tjerash Mas në intevistë për DW.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button