Durmish Belulit i shtyhet dënimi edhe 15 ditë, ndërsa Remzi Miftari në arrati

Durmish Belulit i shtyhet dënimi edhe 15 ditë, ndërsa Remzi Miftari në arrati

Gazetar: Suad Bajrami

Gjykata e Gostivarit edhe një herë ia ka shtyrë fillimin e vuajtjes së dënimit me burg Durmish Belulit, pronarit të kompanisë “Durmo Turs”, autobusi i të cilit u aksidentua në vitin 2019 ku për pasojë humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan.

Beluli i cili letrën e parë për të shkuar në burg e ka marrë para gjashtë muajsh, sipas vendimit të ri, vuajtjen e dënimit me 10 vjet burg duhet ta fillojë pas 15 ditësh, respektivisht më 16 dhjetor. Arsyeja sipas Gjykatës së Gostivarit është identike sikur herën e kaluar, kur ka pasur ndërhyrje kirurgjikale për hernia, ndërsa sot ka pasur ndërhyrje kirurgjikale sërish për hernia. Gjykatësi për zbatimin e sanksioneve personalisht e ka vizituar Belulin në Spital.

Për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale kishte kërkuar shtyrje të mbajtjes së dënimit edhe Remzi Miftari, përgjegjës i “Durmo Tursit” i cili për aksidentin u dënua gjithashtu me 10 vjet burg. Edhe ai para gjashtë muajsh është dashur të paraqitet në burg, megjithatë sikur Beluli për shkaqe shëndetësore e ka shtyrë mbajtjen. Pas mbarimit të periudhës së rikuperimit, Miftari nuk është paraqitur në burg dhe tanimë një javë ndodhet në arrati. Fotografia me të dhënat e tij personale, gjenden në këndin e posaçëm të ueb-faqen së Policisë ku shpallen personat që kërkohen me fletëarrest.

Ndërkohë, pas katër muaj shtyrjesh për arsye shëndetësore, nga 9 tetori është dërguar në mbajtje të dënimit me burg prej 5 vitesh, kontrollori teknik Jane Babarovski.

Për aksidentin tragjik, në burg janë shoferi Manoil Trifunovski, i cili mori dënimin më të lartë në këtë lëndë – 14 vjet burg. Prej 6 qershorit, në Burgun e Idrizovës ndodhen edhe udhëheqësi i Stacionit të Kontrollit Teknik, Igor Gjorgjievski i cili është dënuar me 7 vjet burg, por edhe kontrollori teknik Goran Dukovski, i cili gjithashtu është dënuar me 7 vjet burg.

Aksidenti i Llaskarcës ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan. Sipas aktgjykimit, autobusi i aksidentuar ka qenë teknikisht i parregullt, ndërsa të gjithë të akuzuarit nuk i kanë respektuar detyrimet ligjore për sigurinë e udhëtarëve. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button