Durrës, nis stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”

Nisi në Portin e Durrësit stërvitja e madhe, me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi. “Defender Europe 21” është një stërvitje e organizuar nga ushtria amerikane në Europë dhe Afrikë dhe parashikohet të marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere. Shqipëria është një nga 16 vendet që mirëpret zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake, e cila ka për qëllim ndërveprimin e aleatëve dhe reagimin në raste krizash. Stërvitja pritet të zgjasë deri në 9 Qershor. Kryeministri shqiptar Edi Rama e quajti moment historik stërvitjen “Defender 21”. Ai nënvizoi qëndrimin e Shqipërisë si një vend që do vijojë të qëndrojë besnikërisht krah SHBA dhe me te denjë krah NATO-s. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka vlerësuar maksimalisht rolin e Shqipërisë në NATO dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria ka rol drejtues në stërvitjen më e madhe ushtarake që prej Luftës së Dytë Botërore.

“Është një moment që na mbush me krenari. Unë dua shumë të besoj që pas zbarkimit tuaj në Shqipëri do ju ndodh edhe juve ajo që i ndodh të gjithëve të riktheheni në Shqipëri. Shqipëria nuk është një vend i këshilluar për shkak të sterotipeve që pengojnë marrëdhënien e saj me botën, por kur vjen dëshiron të kthehesh sërish. Kam besim se do të ndodhë edhe me ju. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah jush, si një vend që ndoshta nga pikëpamja numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj aleance por nga pikëpamja e vlerave duam të jemi gjithmonë e më të denjë e më të vyer brenda kësaj aleance”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

“Roli drejtues i Shqipërisë në këtë stërvitje është domethënëse dhe roli i Shqipërisë në këtë aleancë vetëm rritet. Shqipëria është pritëse e më shumë aktiviteteve se çdo vend në rajon. Ju mund të mendoni se është rastësore por jo. Së pari roli i Shqipërisë në aleancë është më i rëndësishëm se kurrë. Shqiptarët kanë luftuar pranë nesh krah për krah në konflikte të shumta përreth globit. Kurrë nuk do të harrojmë sakrificat tuaja dhe do tu jemi gjithmonë mirënjohës që kur Amerika ka nevojë për ju, kur aleatët kanë nevojë për ju, NATO është aty dhe Shqipëria është gjithmonë krah nesh”, u shpreh Juri Kim, Ambasadore e SHBA-së në Shqipëri.

(Foto: A2CNN)

LEXO EDHE:

Back to top button