Edhe 119 shtetas të Maqedonisë pritet të kthehen sonte nga Lindja e Mesme
Edhe 119 shtetas të Maqedonisë pritet të kthehen sonte nga Lindja e Mesme
Gazetar: Ajnur Bafqari
Në aeroportin e Shkupit, sonte pritet të mbërrijnë shtetasit e Maqedonisë së Veriut nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky është fluturimi i tretë për evakuim nga Emiratet, ndërsa bashkë me fluturimet nga Sharm El Sheik dhe Riadi, ky do të jetë fluturimi i pestë për evakuim në përgjithësi nga Lindja e Mesme.
“Avioni duhet të fluturojë nga ora 16:00 sipas kohës lokale, ndërsa mbërritja në Shkup është planifikuar për në orën 22:10 minuta. Për këtë fluturim janë paraqitur gjithsej 147 udhëtarë, prej të cilëve 119 janë shtetas të Maqedonisë, ndërsa 28 të huaj,” deklaroi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme.
-Janë paraqitur 147 udhëtarë, 119 shtetas të RMV-së dhe 28 të huaj
Me këtë fluturim numri i përgjithshëm i shtetasve të Maqedonisë që janë evakuuar shkon në 605 persona. Nga ministria theksojnë se me këtë fluturim, përmbyllet tërësisht procesi i evakuimit të të gjithë shtetasve tanë që kanë shprehur interes të kthehen në vend. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se deri më tani asnjë nga këta qytetarë të evakuuar nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore në aeroport.
“Aeroporti Ndërkombëtarë në Shkup posedon mbulim 24 orësh me ambulancë dhe mjek dhe në pajtim me informacionet nga atje, deri më tani nuk është kërkuar kontroll nga ana e personave që evakuohen,” thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
-Deri asnjë nga të evakuuarit nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore
-Ambulanca dhe mjeku në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë në dispozicion 24h
Institucionet thonë se do të vazhdojnë edhe më tej të jenë në dispozicion të shtetasve tanë që ndodhen në zonat e luftës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme, nënvizojnë se numri i telefonit SOS si dhe kontaktet e përfaqësive diplomatike dhe konsullore vazhdojnë të mbeten në dispozicion. / Alsat.mk








