LSDM inicioi procedurë për përjashtimin e Petre Shilegovit
Gazetar: Zekirija Haxhiu
LSDM inicioi procedurë për përjashtimin e Petre Shilegovit nga anëtarësia e LSDM-së pasi konsiderojnë se është i shantazhuar dhe punon për VMRO-në me qëllim për ta përçarë dhe shkatërruar LSDM-në. Siç tha kreu i kësaj partie Venko Filipçe, Shilegov ka përgatitur një platformë dhe plan për të dobësuar partinë në momentet kur VMRO shënon ulje të besueshmërisë ndërsa LSDM shënon rritje.
“Këtu nuk bëhet fjalë për mendim ndryshe sepse edhe mendimet e tij u dëgjuan por bëhet fjalë se punon për VMRO-DPMNE-në dhe për përçarje të brendshme të partisë. Para nesh kemi detyrë serioze për mbijetesë të shtetit dhe nuk do të lejoj njerëzit dhe VMRO-në të përçajnë LSDM-në. Përçarjet nuk na dërgojnë askund. Kur ti tenton të përçash shtëpinë tënde, shtëpia do të rrënohet mbi kokë”, deklaroi Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Nga ana tjetër Shilegov pohon të kundërtën. Sipas tij është LSDM ajo që bashkëpunon me VMRO-në.
“Kjo udhëheqësi e LSDM-së në tërësi punon për VMRO-DPMNE-në e jo për LSDM-në dhe anëtarësinë e saj. Ka një marrëveshje që LSDM të qëndrojë në gjendje të tillë siç është tani, vazhdimisht ti huq temat dhe të lejojë VMRO-DPMNE-në të vazhdojë dy mandate e në llogari të kësaj të mos jenë lëndë e hetimeve eventuale penale. Kuadrot e partisë përfundimisht janë shterur dhe nuk janë më atje”, tha Petre Shilegov – Ish kryetar i Shkupit.
Shilegov i bëri thirrje Filipçes të lexojë statutin e partisë, pasi përjashtimi rregullohet përmes degëve lokale./Alsat.mk.








