Edhe në seancën e 13 VV dështon ta ndryshojë mënyrën e votimit, deputetët mblidhen pasnesër

Edhe në seancën e 13 VV dështon ta ndryshojë mënyrën e votimit, deputetët mblidhen pasnesër

Deputetët sërish kanë tentuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, megjithatë, edhe për të trembëdhjetën herë kanë dështuar. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoi sërish votim të fshehtë. Për votuan 56 deputetë, ndërsa një kundër. Seanca u ndërprerë pasi nuk kishte kuorum. Seanca e radhës është caktuar për më 11 maj. Ndërkohë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimeve të marra së fundi në Kuvendin e Kosovës lidhur me seancat konstituive. Haradinaj tha se do të konsultohen me PDK-në dhe LDK-në, për t’u bërë 10 deputetë në dërgimin e kësaj kërkese. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi Vetëvendosje nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiun.

“Një propozim ka qenë për një qeveri të unitetit. Ekziston edhe propozimi ynë për qeverinë e opozitës. Konsultat mes opozitës janë të nevojshme. Edhe konsultat me bashkë kryesuesin janë të nevojshme që të dalim nga gjendja ku jemi. Ne veç kemi përgatitur një kërkesë për vlerësim. Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që ta vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimeve të marra në kuvend. Sot jemi në konsulta edhe me PDK dhe LDK në mënyrë që 10 deputetë t’i drejtohemi gjykatës”, deklaroi Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.

Seanca konstituive vazhdon të dielën me fillim nga ora 10:00. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button