Ekspertët e ekonomisë presin normë më të lartë të inflacionit

Gazetar: Andrea Çobanova

Komuniteti i biznesit dhe ekspertë ekonomikë në vend presin normë inflacioni më të lartë se sa pritej fillimisht këtë vit, shkruan Alsat.

Në anketën e fundit të Bankës Popullore, rritja do të jetë e pashmangshme për shkak të situatës me çmimin e energjisë elektrike, gazit, situatës me virusin dhe problemeve me furnizimin e produkteve.

“Pritjet për vitin 2022 dhe 2023 janë pak më të larta, të anketuarit presin normë inflacioni prej 2,8% në vitin 2022 (2,5% në sondazhin e mëparshëm) dhe 2,4% në 2023 (2,3% në sondazhin e mëparshëm). Ngjashëm me sondazhin e mëparshëm, të anketuarit shpjeguan pritjet e tyre për inflacionin kryesisht nga problemet e zinxhirit të furnizimit, çmimet më të larta për mallrat e importuara, siç janë çmimet e ushqimeve dhe energjisë”, njoftojnë nga Banka Popullore.

Ministri i Financave Fatmir Besimi mbetet i mendimit se këtë vit inflacioni do të fillojë të ulet, kurse stabilizimi i çmimeve do të fillojë pas qershorit të këtij viti. Qeveria pret që inflacioni këtë vit të jetë 2.4%.

“Paralajmërimet janë se në tremujorin e dytë të këtij viti do të fillojë zbutja e efekteve të krizës energjetike dhe nga gjysma e dytë e këtij viti do të stabilizohet edhe kriza energjetike edhe ajo e çmimeve”, deklaroi Fatmir Besimi- Ministër i Financave.

Rritja e çmimeve të ushqimeve, sipas Organizatës Botërore të Ushqimit, ka shtyrë 44 milionë njerëz në varfëri. Sipas analizave të tyre, çmimet e ushqimeve, përfshirë këtu edhe ushqimet bazë, janë rritur për 28 për qind. Ndërsa të dhënat e fundit të Entit statistikor te ne tregojnë rritje prej 3,6 për qind. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button