Ekspertët: Masat qeveritare për kursimin e energjisë elektrike, janë joserioze

Ekspertët: Masat qeveritare për kursimin e energjisë elektrike, janë joserioze

Gazetar: Ile Petrevski

Masat që i publikoi Qeveria për kapërcimin e dimrit më të vështirë energjetik, s’mund të merren seriozisht- vlerëson njëri nga ekspertët më me përvojë në fushën e energjisë në Maqedoni, Konstantin Dimitrov. Për menaxhimin e krizës është dashur më herët të merren vendime dhe masa reale. Kështu, me mos- përdorimin e ashensorëve nëpër institucione, me fikjen e kompjuterëve pas orarit të punës ose shtypjen e vetëm një pjese të dokumenteve, nuk është shenjë e mirë, shton ai.

“Besoj që do të ketë probleme, në bazë të përvojës, duke e ditur si funksionon EMV-ja, duke pasur parasysh gjendjen hidrografike, dyshoj që do të kemi sasi të mjaftueshme të rrymës nga prodhimi jonë. Edhe në rastin më të mirë, në Maqedoni patjetër të importojmë 30% energji elektrike”, tha Konstantin Dimitrov- themelues i MACEF.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, siguroi disa herë gjatë kësaj krize energjetike se nuk do të ketë kufizime të rrymës. Ai dje bëri të ditur se masat parashikojnë reduktimin e ndriçimit rrugor, si në rrugë lokale ashtu edhe në autostrada ndërsa disa do të fiken.
“Ne nuk presim që të ketë ndonjë kufizim në Maqedoninë e Veriut. Tani, dashtë Zoti, të mos na ndodhë ndonjë fatkeqësi”, u shpreh Kreshnik Bekteshi- ministër i ekonomisë.

Masat për institucionet shtetërore parashikojnë që të fiket ndriçimi dekorativ në fasadat e ndërtesave, si dhe në monumentet kulturore. Gjithashtu, shfrytëzim racional i ndriçimit në ambientet e brendshme, si dhe përdorim racional të kondicionerëve në verë dhe dimër. Nëse nuk ka rezultate, pra institucionet nuk kanë kursyer energji elektrike në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, qeveria ka parashikuar edhe gjoba për drejtuesit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button