Ekspertët paralajmërojnë shtrenjtim të energjisë elektrike në RMV

Qytetarët të përgatiten për shtrenjtim serioz të energjisë elektrike nga viti i ardhshëm, paralajmërojnë ekspertët e energjetikës. Ajo që deri tani nuk është investuar në kapacitetet energjetike, tani do godasë xhepat e qytetarëve. Prandaj, Qeveria urgjentisht të përgatitë plan për subvencionim energjetik për qytetarët dhe bizneset sepse në të kundërtën, shumë banesa dhe shtëpi gjatë dimrit do të ngelen pa ngrohje dhe në terr dhe shumë kompani do të mbyllen.

Sa për informim të qytetarëve ta dinë se çfarë është e keqja dhe e tmerrshme nëse çmimi i Elektranave të Maqedonisë shitet për 35 euro për EVN-në, në bursë çmimi është nga 130 deri 150 euro për një megavat orë. Nëse ju duhet ta blini për 80 euro ajo që tani kushton 30 euro, më thoni ju sa do jetë çmimi! Energjetika nuk planifikohet sot për nesër, duhet të planifikohet diçka që do shfrytëzohet pas dhjetë vjetëve”, pohoi Konstantin Dimitrov, kryetar i Qendrës për efikasitet energjetik të Maqedonisë.

Komuniteti i biznesit tashmë është mobilizuar. Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski u bëri thirrje biznesmenëve të marrin pjesë në intervenimin me import të qymyrit, që sipas autoriteteve, do jenë 2 milionë tonë dhe do të përdoren për prodhimin e rrymës.

Jemi të vetëdijshëm se kjo çështje ju intereson në mënyrë të drejtpërdrejtë nga aspekti i prodhimtarisë së rregullt dhe në kohë me të cilën do e ruani konkurrimin dhe leverdinë në kushte kur keni kontrata të prishura në mënyrë jo edhe aq korrekte, joprofesionale dhe mënyrë joefikase”, tha Branko Azeski, kryetarë i Odës Ekonomike.

Autoritetet paralajmëruan import urgjent të qymyrit për t’u aktivizuar edhe një bllok në Kombinatin Energjetik në Manastir dhe të funksionojë Centrali në Osllomej. Këtë e konfirmuan edhe nga Elektranat e Maqedonisë por pa treguar sa do të importojnë dhe sa do i kushtojë kjo shtetit. Importi vjen në kohë kur shteti paguan shuma milionëshe për gërryerjen e qymyrit në kombinatin REK Manastir me makineri dhe mjete transportimi të marra me qira.

Për sistem të qëndrueshëm elektro-energjetik nevojitet të prodhohen sasi shtesë të energjisë elektrike dhe për këtë nevojitet gërryerje e shtuar e qymyrit në Kombinatin REK Manastiri si dhe blerjen e qymyrit përmes thirrjes publike ndërkombëtare”, theksoi Vasko Kovaçevski, drejtor i CMV.

Kjo krizë ekonomiko-energjetike edhe më shumë do e dobësojë fuqinë e konsumit të qytetarëve, sidomos të atyre që kanë të ardhura më të vogla mujore. Thuajse tërë vitin Qeverisë i duhet ta zgjerojë listën e kategorisë së familjeve që do marrin ndihmë nga shteti për ta tejkaluar varfërinë energjetike. Kompanitë që janë në tregun e lirë tashmë morëm fatura më të shtrenjta për 60%.

 

Ile Petreski

LEXO EDHE:

Back to top button