Ekspertiza zbardh zjarrin në ish-Uzinën Dinamo, dëme të mëdha ekonomike

Ekspertiza zbardh zjarrin në ish-Uzinën Dinamo, dëme të mëdha ekonomike

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Mbrëmjen e djeshme, në zonën e njohur si “5 Maji” në Tiranë, shpërtheu një zjarr i përmasave të mëdha, i cili përfshiu disa magazina dhe ambiente tregtare, kryesisht të tregut të rrobave të përdorura. Zjarri masiv nisi në orët e pasdites së 8 janarit dhe për shuarjen e tij u desh ndërhyrja e disa forcave zjarrfikëse nga Tirana, Vora, Kamza dhe Elbasani, si edhe forcat e ushtrisë.

Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme, duke krijuar tym të dendur dhe panik në zonë. Autoritetet vendosën një perimetër sigurie dhe disa banorë u evakuuan për arsye sigurie. Sipas të dhënave paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Grupi hetimor që po heton zjarrin në tregun pranë ish-Uzinës “Dinamo”, në rrugën “5 Maji”, kreu ekspertizën mëngjesin e së premtes. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në kabullin e paneleve diellore.

Një prej personave që ushtronte biznesin e saj në tregun e ish-Uzinës Dinamo te rruga “5 Maji” për A2 CNN tha se reagimi i forcave zjarrfikëse pas zjarrit që ra një natë më parë, nuk ishte në nivelin e duhur. Sipas saj, nga një zjarr prej 2 metrash katrorë u përfshi i gjithë kapanoni.

“Ishte neglizhencë totale e shtetit, nuk kishin kapacitetet e duhura për të fikur zjarrin, nuk asgjë vetëm ujë, ka ardhë boti i ujtit dhe uji mbaroi, isha live dhe uji mbaroi dhe morën uji nga uzina….zjarrfikësit i lanë të gjitha zorrat se s’kishin më ujë..”, tha një tregtare.

Zjarri nisi nga një dyqan dhe u përhap në kapanon, duke prekur rreth 100 dyqane me mallra tekstile dhe plastike. Dëmet llogariten në miliona euro, ndërsa qindra tregtarë janë prekur rëndë. Ndërsa, zjarri i madh që përfshiu mbrëmjen e së enjtes disa magazina në këtë zonë shkaktoi dëme të rënda ekonomike. Edhe gjatë mëngjesit të së premtes, disa vatra mbetën aktive./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button