Emrat e rrugëve sërish përplasin BDI-në dhe Komunën e Tetovës
Gazetar Bashkim Sulejmani
Dega e BDI-së në Tetovë ka parashtruar kërkesë në komunë përmes së cilës kërkohet zbardhja e plotë e korrespondencës zyrtare të komunës së Tetovës me Gjykatën Kushtetuese.
“Vetë Gjykata Kushtetuese konstaton se Komuna e Tetovës, në katër raste brenda 1 viti, nuk e dorëzoi dokumentacionin e plotë të kërkuar. Në tri raste heshti edhe Qeveria. Më skandaloz është fakti se Gjykata i referohet nenit 73 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Ky nen përcakton qartë se, nëse Qeveria nuk përgjigjet brenda 60 ditëve nga pranimi i kërkesës, pëlqimi konsiderohet i dhënë dhe akti i komunës pranohet siç është propozuar. Pra, sikur Komuna ta kishte dorëzuar provën se kërkesa për pëlqim i ishte dërguar Qeverisë, heshtja e Qeverisë nuk do të ishte pengesë juridike, deklaroi Bejza Abdiji nga dega e BDI-së në Tetovë.
Komuna e Tetovës mohon të ketë bërë lëshime në komunikimin me Gjykatën Kushtetuese. Thotë se të gjitha procedurat janë respektuar, ndërsa akuzat e BDI-së i cilëson si tentim për njollosje.
“Komuna e Tetovës ka respektuar çdo procedurë ligjore dhe i është përgjigjur Gjykatës Kushtetuese në mënyrë institucionale për çdo kërkesë të saj, pa asnjë vonesë apo neglizhencë. E hedhim poshtë çdo dezinformatë që tenton të njollosë punën e administratës komunale. Është gënjeshtër e kulluar se Komuna nuk ka kthyer përgjigje. Duke qenë se bëhet fjalë për një çështje të vjetër mbi 10 vjet, Komuna e Tetovës, në përputhje me ligjin, ka kërkuar dokumentacionin përkatës nga Arkivi Shtetëror dhe ia ka dorëzuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese”, theksojnë nga komuna e Tetovës.
Nga komuna e Tetovës theksuan se në ditët e ardhshme do të publikojnë të gjitha materialet e korrespondencës me Gjykatën Kushtetuese./Alsat.mk.








