Epidemia e Nilit Perëndimor, qytetarët kërkojnë më shumë masa kundër mushkonjave

Gazetare: Melihate Rustemi

Banorët e Komunës së Butelit ankohen se po përballen me një numër të madh mushkonjash, ndërsa shqetësimet janë shtuar edhe për shkak të rasteve të Nilit Perëndimor. Buteli është një nga komunat ku institucionet shëndetësore kanë shpallur epidemi të këtij infeksioni. Qytetarët thonë se këtë verë mushkonjat janë veçanërisht të shumta dhe se masat për dezinfektim dhe spërkatje nuk janë të mjaftueshme.

“Është e tepruar, shumë tepër. Si asnjëherë më parë, ka shumë mushkonja. Sikur të mos spërkasin ose nuk e di se çfarë po ndodh. Nuk mund të dalësh jashtë për të pushuar. Unë jam i ndjeshëm, më sulmojnë shumë. Mundohem të mbrohem edhe në shtëpi, por nuk mund të mbrohemi plotësisht. Është e pabesueshme sa shumë ka. Kemi rrjeta kundër mushkonjave dhe kujdesemi për higjienën” tha një qytetar.

Për t’u mbrojtur nga pickimet, banorët thonë se po përdorin mjete të ndryshme në shtëpi.

“Përdorim disa mjete, preparate ose aparate që i tërheqin brenda, kështu përpiqemi të mbrohemi. Nuk e di nëse kanë spërkatur fare, të them të drejtën. Nuk e di nëse është spërkatur kjo zonë fare. Përpiqemi të kemi kujdes sa mundemi, por nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë”, tha një tjetër qytetar.

Një tjetër banore thotë se ka vërejtur më pak spërkatje krahasuar me vitin e kaluar. Ajo e lidh këtë edhe me numrin e madh të mushkonjave dhe me shqetësimin për rastet e Nilit Perëndimor.

“Po vërej, po vërej edhe se është spërkatur më pak se vitin e kaluar dhe kaq shumë raste të Nilit Perëndimor, vërtet është tepër. Është shpallur edhe situata, megjithëse te ne, që nga spërkatja e fundit, ka më pak mushkonja. Unë mbrohem me repelentë; sa herë dal jashtë, patjetër spërkatem. Nuk na mbetet asgjë tjetër. Jetoj në një ndërtesë dhe çdo mbrëmje ndez një aparat kundër mushkonjave. Nëse nuk e ndez, patjetër që zgjohem natën e kafshuar nga mushkonjat”, theksoi një qytetare nga Buteli.

Dje, një 83-vjeçar nga Shkupi ndërroi jetë pasi ishte infektuar me virusin e Nilit Perëndimor. I njëjti kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Sipas drejtiesve të Klinikës Infektive, pesë pacientë të tjerë janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në repartin e kujdesit intensiv. Gjatë këtij viti në Klinikë kanë qenë ose janë të shtruar gjithsej 29 pacientë të dyshuar me ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa 25 prej tyre kanë rezultuar pozitivisht. Shumica e të prekurve janë persona të moshuar, mbi 60 vjeç. Për shkak të rritjes së numrit të rasteve dhe aktivitetit të virusit, Qendra për Shëndet Publik Shkup ka shpallur epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në disa komuna dhe vendbanime të Shkupit. Epidemia është shpallur në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe në vendbanimet Draçevë, Przhino, Dolno Lisiçe, Kadino dhe Jurumleri. Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se nuk ka vend për panik, por për kujdes dhe përgjegjësi. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button