Kriza institucionale në Kosovë, partitë s’bien dakord për seancën
Gazetare: Amila Rashiti
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kërkesën që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet nesër, më 14 gusht. Kërkesa e tyre erdhi një ditë pas tensioneve dhe përplasjeve të shtuara në Kuvendin e Kosovës.
“Ne e kemi dorëzuar këtë kërkesë, për të kërkuar respektimin e kushtetutës së aktgjykimit të gjykatës kushtetuese dhe rregullorës së punës së Kuvendit.” – Përparim Gruda, Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas kërkesës së PDK-së, edhe Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se ka kërkuar takim nga kryesuesi i seancës Avni Dehari, lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës.
“Sot ne kemi dërguar një kërkesë zyrtare si Aleancë në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, kemi kërkuar takim me Kryesuesin e Seancës Konstituive, zotëri Avni Dehari, në mënyrë që nesër në ora 11:00 kur të kalojë 48 orëshi në bazë të përcaktimit të rregullorës së Kuvendit të ndodhë seanca.” – Besnik Tahiri, Deputet i Aleancës.
Por ai shtoi se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe as konsiderim që të ndodhë seanca.
Opozita pretendon se Lëvizja Vetëvendosje mban peng institucionet demokratike në kohën kur nuk ka një marrëveshje politike për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Ndërkohë, Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale lidhur me situatën që ngjau ditën e djeshme në ambientet e Kuvendit. Haxhiu ka theksuar se mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre qe mbajnë përgjegjësi.
“Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale. Këtë sjellje e dënoj publikisht dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit.” – Albulena Haxhiu, Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje pretendon se seanca konstituive duhet të vazhdojë vetëm pasi palët të kenë një marrëveshje për formimin e institucioneve, konkretisht votimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit të ri. Ata pretendojnë se kanë kohë dhe vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes.








