Falimentimi i “Eurostandard”, qytetarët s’mund të tërheqin pensionet dhe kursimet


Alsat
13.08.2020 15:54
Qytetarët me llogari të hapura në Eurostandard Bank kanë mbetur pa paratë e tyre. Mbi 130 mijë prej tyre sot nuk mund t’i marrin pensionet, pagat, asistencën sociale apo paratë e kursyera në bankën që po falimenton. Dyert e Eurostandard sot ishin të mbyllura nga ana e Bankës Popullore. Pritet të emërohet drejtor i falimentimit.
“Kam një llogari të transaksionit, por është në emër të babait tim i cili është pensionist, ndërsa unë kam autorizim vetëm për Eurostandard Bank dhe tani nuk e di çfarë të bëj. Kam para, por nuk mund t’i marr assesi”.
“Nëna ime pensionin e merrte përmes kësaj banke. Tani e fotografuam njoftimin, por kemi hapur llogari në një bankë tjetër, nuk ka pse të presim”.
Nga Fondi sigurojnë që në 20 ditët e ardhshme paratë do të paguhen, dhe qytetarët dhe kompanitë do të informohen në kohën e duhur nga cila bankë mund t’i tërheqin paratë. Banka Popullore u bëri thirrje shfrytëzuesve të llogarive të Eurostandard të hapin llogari të reja dhe të informojnë punëdhënësin, ndërsa pensionistët do duhet të hapin llogari të re në ndonjë bankë tjetër, më së voni deri më 21 gusht.
Kompensimit do t’i nënshtrohen depozitat në denarë dhe në valutë të huaj, mjetet në llogaritë e transaksionit të lëshuara nga banka. Depozituesit do të marrin vërtetim për pronësinë e depozitës, fondi do t’i informojë depozituesit për datën e fillimit të pagesës së kompensimit të depozitave dhe emrin e bankave përmes të cilave do të paguhet kompensimi”-tha Borçe Haxhiev, drejtor i Fondit të Sigurimit të Depozitave.
Mbetet për tu parë çfarë do të ndodhë me detyrimet e kredive që personat fizik i kanë ndaj kësaj banke. Pas hapjes së procesit të falimentimit, drejtori i falimentimit do të vendosë për mënyrën e kthimit të kredive. Nga Asociacioni i Bankave sigurojnë se bankat tjera janë të gatshme të ndihmojnë dhe t’i rifinancojnë kreditë e personave juridikë dhe fizik, përkatësisht kreditë të vazhdojnë të paguhen, por në banka e tjera.
Andrea Çobanova