Familjarët e viktimave në Bllacë angazhojnë avokat, Prokuroria ende pa detaje
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Familja e Ejup Tërnavës, Xhenet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit, tre personat të cilët humbën jetën tragjikisht pasi u aksidentuan me veturë në autostradën e pa përfunduar nga Bllaca drejt Shkupit, kanë angazhuar avokat me qëllim për të zbardhur detaje se çfarë më saktë ka ndodhur. Avokati Arianit Koci ka njoftuar se bashkë me familjarët e viktimave, ka qenë në Policinë e Maqedonisë së Veriut por ankohet se nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Cila ndërmarrje e ka ndërtuar këtë segment? Kush e ka mbikëqyrur ndërtimin dhe kush ka qenë përgjegjës për sigurimin e tij? Pse hyrja në segmentin që zyrtarisht ishte i mbyllur për qarkullim nuk ka qenë e bllokuar fizikisht? Si ka qenë e mundur që një automjet të hyjë aty dhe të vazhdojë deri në fund, ku rruga përfundonte në një gropë? Pse pas aksidentit, hyrja në këtë segment është mbyllur fizikisht me zhavorr dhe janë vendosur shenja të komunikacionit? Nëse kjo është bërë pas aksidentit, pse nuk ishte bërë më parë?”, ka shkruar avokati Arianit Koci në Facebook.
Koci përgjigje nuk kanë marrë as në pyetjet nëse është ndaluar ndonjë person lidhur me tragjedinë. Ndërkaq familja e viktimave, për të transportuar trupat e pa jetë në Kosovë, është dashur të paguajnë 2800 euro, shpenzim për të cilin avokati pohon se është dashur ta mbulojë shteti.
Ndërkaq nga Prokuroria Publike edhe më tej nuk japin asnjë detaj nëse është zbuluar diçka gjatë hetimeve. Alsat pyeti Prokurorinë nëse deri tani ka persona të dyshuar që mund të kenë ndikuar në tragjedinë. Pyetëm nëse është ftuar në bisedë dikush nga Ministria e Transportit? Pyetëm nëse kanë konstatuar se kanë munguar sinjalizimet e komunikacionit që njoftojnë se autostrada nuk është në shfrytëzim momentin kur ka ndodhur tragjedia. Nga të gjitha këto, morëm vetëm këtë përgjigje.
“Në rastin konkret, ende ndërmerren më tepër veprime sipas urdhrave të prokurorit publik”, u përgjigjën nga Prokuroria Publike.
Natën e 18 korrikut, Naim Tërnava bashkë me bashkëshorten e tij Xhenet Tërnava, kishte marrë nga Aeroporti i Shkupit motrën e tij, Fatmire Shabanin. Gjatë kthimit, qindra metra para se të arrij në kufirin e Bllacës, Tërnava gabimisht kyçet në autostradën e pa përfunduar prej dy kilometrave nga Bllaca deri në Shkup, me çka vetura rrokulliset në greminë. Trupat e viktimave u gjetën madje 24 orë pas aksidentit./Alsat.mk








