Festat e fundvitit, autoritetet me apele për mospërdorimin e mjeteve piroteknike

Festat e fundvitit, autoritetet me apele për mospërdorimin e mjeteve piroteknike

Gazetar: Avni Tahiri

Pamjet që po shihni janë simulim se çfarë pasojash mund të sjell përdorimi i mjeteve piroteknike.

Aktiviteti në qendër të Shkupit me moton “Pushkaliqe Jo, Siguria para së Gjithash” ishte në bashkëpunim mes Kryqit të Kuq dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme me qellim të ngritjes së vetëdijes së qytetareve për pasojat e përdorimit të mjeteve piroteknike.

“Fishekzjarrët nuk janë lojë dhe përdorimi i tyre është rreptësisht i ndaluar, dhe shpërthimi i fishekzjarrëve për të festuar mund të jetë i rrezikshëm për jetën dhe shëndetin duke shkaktuar pasoja të rënda të cilat mund të vulosin jetën e ndonjë të riu. Porosia nga të gjithë ne është se fishekzjarrët janë të rrezikshme dhe aspak nuk janë Cool”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Sipas Spasovskit nga aksionet e zhvilluara vetëm vitin e kaluar janë sekuestruar rreth 87 mijë mjete piroteknike, ndërsa këtë vit, vetëm në dhjetë ditët e fundit janë sekuestruar rreth 40 mijë.

“Pjesëmarrja jonë me aktivitetet që i organizojmë është me të vetmin qellim që të ngremë vetëdijen tek të rinjtë nga rreziku që mund të shkaktoje përdorimi i mjeteve piroteknike, edhe këtë vit por edhe vitet në vazhdim do të vazhdojmë me aktivitete të ngjashme sepse kontribuojmë në parandalimin e rrezikut që sjell për jetën e të rinjve”, deklaroi Sait Saiti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq.

Në vendin tonë për shitësit e paligjshëm të mjeteve piroteknike sipas ligji parashihet burg nga 3 deri në 10 vite, ndërsa për përdoruesit e mjeteve piroteknike gjobë nga 200 deri në 500 euro. Sipas të dhënave, në botë 150 mijë njerëz çdo vit mbesin me pasoja të invaliditetit si shkak i përdorimit të mjeteve piroteknike, ndërsa 80 % e këtij numri janë fëmijë të cilët janë nën moshën 16 vjeçare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button