Fillon fushata në Greqi, më 21 maj zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme

Fillon fushata në Greqi, më 21 maj zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme

Menjëherë sapo kryeministri Mitsotakis i ka kërkuar presidentes shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në 21 maj, ka filluar edhe zyrtarisht fushata elektorale e partive greke

Në mënyrë simbolike kreu i qeverisë që synon një katërvjeçar të dytë ka zgjedhur vendlindjen e tij në Hania të Kretës ku ju ka kërkuar votën përkrahësve të tij për të realizuar programin e konservatorëve që sipas tij do ta bëjë Greqinë edhe me të fortë ekonomikisht.

“Asnjë qeveri që nga vendosja e demokracisë nuk është përballur me kaq shumë pengesa. E megjithatë, ne i kapërcyem të gjitha. Kufijtë tanë mbetën të pathyeshëm. Dhe me një program gjigant që kaloi 50 miliardë euro, u mbështetën familjet, bizneset dhe vendet e punës“- tha Mitsotakis.

Ndërsa Aleksis Tsipras, rivali i tij kryesor dhe kreu i partisë më të madhe opozitare Syriza, ka paralajmëruar nga një miting në një lagje periferike të Selanikut se sistemi Mitsotakis në fuqi do të përdorë çdo lloj mjeti për të mbajtur pushtetin, ndaj ka kërkuar fitore të partisës së tij që do të sjellë ndryshimin.

“Ky regjim do të bëjë gjithçka për t’u kapur pas kolltuqeve të pushtetit, për të parandaluar ndryshimin politik që po vjen. Nuk do t’ia dalë, por duhet ta dini: Provokimet, shantazhet, ryshfetet, lajmet e rreme, sondazhet e rreme edhe dezertimet do të përdoren në ditët që vijnë nga regjimi i Mitsotakis”- tha Tsipras.

Rreth 430,000 të rinj nga 17 deri në 21 vjeç do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 21 majit dhe vlerësohet se 40% e tyre shprehen të pavendosur se kë parti do votojnë. Ministria e Brendëshme tregon në faqen e saj zyrtare precedurën se si mund të gjejnë zgjedhësit e rinj qendrën ku votojnë.

Në gati 9.9 milion votues 51.3% të elektoratit janë femra  dhe 48.4% meshkuj. Qytetarët votojnë me kartë identiteti ose pasaportë ose patentë automjeti ose kartelë shëndetësore individuale të të gjitha fondeve të sigurimit.

Zgjedhjet e 21 majit do të jenë të parat në të cilat mund të votojnë nga vendbanimi i tyre rreth 22000 grekë që jetojnë jashtë vendit dhe që plotësojnë kushtet e vendosura me projektligj të qeverisë./Top Channel

LEXO EDHE:

Back to top button