Filmi shqiptar i regjisorit Erenik Beqiri hyri në listën e ngushtë të çmimeve “Oscar”

Filmi “The Van” me regji të Erenik Beqirit ishte i pari që çoi Shqipërinë në Festivalin e Filmit në Kanë. Bashkëprodhimi shqiptaro-francez është nominuar së fundmi edhe në çmimet “Oscar”. Filmi me metrazh të shkurtër i regjisorit shqiptar, Erenik Beqiri është futur në listën e ngushtë të nominimeve të “Oscars” në kategorinë ‘Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër’.

Së bashku me “The Van” në këtë kategori konkurrojnë edhe filma të tjerë si: “Bitu”, “Da Yie”, “Feeling Through”, “The Human Voice”, “The Kicksled Choir”, “The Letter Room”, “The Present”, “Tëo Distant Strangers” dhe “White Eye”. Ceremonia e 93 e ndarjes së çmimeve “Oscar” është parashikuar të mbahet më 25 prill në ‘Dolby Theatre’, Los Angeles. Sakaq, lista e plotë e të nominuarve pritet të bëhet publike më 15 mars.

Lajmin për nominimin e konfirmoi edhe vetë regjisori, i cili është shprehur tepër i lumtur në rrjete sociale.

“Jam shumë krenar që filmi ynë ja doli të jetë pjesë e listës së ngushtë së çmimeve Oscar, por filmi nuk do të ishte bërë pa përfshirjen e të gjithëve. Faleminderit dhe urime!”, ka shkruar Beqiri në një postim.

“The Van” flet për një djalë, i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një fugoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe fugoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dali vetëm një fitues. Xhirimet e filmit janë bërë në pjesën më të madhe të tij në Tiranë, ndërsa një pjesë e vogël është realizuar në Portin e Durrësit. Në rolet kryesore interpretojnë Arben Bajraktari dhe Afrim Muçaj.

LEXO EDHE:

Back to top button