fbpx

Fjalë të qarta, por pak hapësirë ​​për veprim – ALSAT-M


BE-ka ka qenë rrallë kaq e bashkuar për një çështje të politikës së jashtme si në rastin e Bjellorusisë. BE-ja mbështet pa rezervë protestat paqësore në Bjellorusi, kërkon  dialog midis të gjitha forcave në vend dhe kërkon që të mos ketë ndërhyrje të jashtme. BE-ja përmbushi po ashtu kërkesën e lideres së opozitës Svetlana Tiqanovskaja, dhe nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve që pretendon  Aleksandër Lukashenko. Solidariteti i vendeve anëtare të Evropës Lindore me fqinjën e tyre Bjellorusinë pati ndikim të fortë në BE dhe ndihmoi për krijimin e imazhit të harmonisë.

Fjalë tejet të qarta

Kancelarja u shpreh me fjalë jashtëzakonisht të qarta pas takimit virtual gati tri orësh: “Ne dënojmë dhunën brutale kundër qytetarëve në Bjellorusi. Zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të drejta, kjo është arsyeja pse BE-ja nuk i njeh ato. Liria e shprehjes dhe e demonstrimit duhet të garantohen dhe të gjithë të burgosurit duhet të lirohen pa kushte.”

Sidoqoftë pjesa më e rëndësishme e mesazhit ishte fjalia që qytetarët e Bjellorusisë “e dinë vetë se çfarë është e mirë për ta” dhe se vetëm ata duhet të vendosin për të ardhmen e tyre – pa ndërhyrje nga jashtë. Ky është një premtim që BE-ja nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt në zhvillimet në vend dhe se nuk synon të prekë sferën e ndikimit të Moskës. Por është gjithashtu edhe thirrje ndaj presidentit rus Vladimir Putin që të heqë dorë nga veprimet ushtarake dhe ndërhyrjet e ngjashme nga ana e tij.

Rruga për Minsk kalon përmes Moskës

Merkel tha se kishte telefonuar me Putinin të martën (18.08.) për t’i shpjeguar këndvështrimin e evropianëve. “Unë nuk i thashë më kot që Bjellorusia duhet ta përcaktojë vetë rrugën e saj,” tha Kancelarja në konferencën për shtyp pas samitit të BE-së duke informuar për përmbajtjen e bisedës telefonike me Putinin. Ajo tha se i kishte bërë të qartë Presidentit rus se evropianët duan të shmangin përsëritjen e ngjarjeve të vitit 2015 në Ukrainë.

Kancelarja tha po ashtu si rastësisht se ajo kishte provuar të telefononte edhe me Aleksandër Lukashenkon, por se ai nuk i kishte dalë në telefon. Angela Merkel nuk bën asgjë pa synim apo qëllim. Pra ajo vështirë se mund të gjente fjalë të tjera për ta nxjerrë bllof sundimtarin në Minsk dhe qëndrimin prej frikacaku të autokratit që në mënyrë brutale persekuton dhe shtyp qytetarët e vet. .

Merkeli i bëri thirrje qeverisë bjelloruse të Presidentit Aleksandër Lukashenko të lirojë pa kushte të gjithë të burgosurit. Po ashtu ajo u shpreh në favor të dialogut kombëtar që kërkon opozita bjelloruse.

Sikurse Merkeli Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel tha pas takimit virtual në Bruksel se BE-ja është “në anën e popullit bjellorus”. Ai njoftoi se BE-ja do të zbatojë “së shpejti” sanksionet e saj të shpallura kundër një numri “të konsiderueshëm”  zyrtarësh publikë për manipulime zgjedhore dhe për dhunë.

A do të funksionojnë planet e BE-së?

Kancelarja tha se Gjermania nuk mund të ndërmjetësojë në Bjellorusi dhe se sipas saj OSBE-ja është një ndërmjetëse e mundshëm për të negociuar një zgjidhje. Sugjerime të tilla u shprehën edhe nga Parlamenti Evropian: “OSBE-ja do të ishte e përshtatshme për të ndëmjetësuar pasi Rusia, të gjitha shtetet e BE-së dhe gjithashtu SHBA janë anëtare të Konferencës për Ruajtjen e Paqes”, tha deputeti socialdemokrat Norbert Neuser.

Suedia është shprehur e gatshme  të ndihmojë ndërmjetësimin përmes OSBE-së. Sidoqoftë, kjo mund të funksionojë vetëm nëse Rusia bashkohet në këtë proces, sepse OSBE-ja nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin e Moskës. Kritikët e konsiderojnë OSBE-në si tigër pa dhëmbë dhe jofunksionale.

Gjithsesi pyetja më e rëndësishme tani është nëse pokeri mes BE-së dhe Presidentit Putin se kush del më i fortë, do të funksionojë. Putini nuk ka ndonjë interes personal tek Lukashenkoja. Pra pyetja është a mund të jetë dakord Putini me një kryeministër të ri në Minsk që është miqësor ndaj Rusisë dhe që mund të ruajë ekuilibrin midis bjellorusëve dhe Kremlinit nga njëra anë dhe evropianëve nga ana tjetër? BE-ja mund ta kërcënojë presidentin rus vetëm me sanksione të mëtejshme ekonomike për të shmangur ndërhyrjen ushtarake. Por Kremlini e ka në dorë ta përshkallëzojë gjendjen. BE-ja e bëri nga ana e saj atë që mundi për t’i mbështetur qyetarët e Bjellorusisë – vendimi tani është në dorë të Vladimir Putinit.

LEXO EDHE:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button