Frika për ndërprerje të gazit natyror, Evropa merr masa

Frika për ndërprerje të gazit natyror, Evropa merr masa

Ndërprerja e gazit në Evropë nga Nord Stream, ka shqetësuar qeveritë perëndimore në lidhje me besueshmërinë e furnizimeve me energji dimërore nga Rusia.

Pas vendimeve të papritura të Gazprom për të reduktuar më tej furnizimet me gaz natyror në Evropë dhe për të zgjatur mbylljen e gazsjellësit, kontinenti i vjetër i frikësohet përkeqësimit të krizës energjetike.

Aktualisht çmimet e gazit me shumicë janë rritur në më shumë se 400% që nga gushti i kaluar.

Belgjika ka njoftuar një paketë të re masash për të trajtuar rritjen e çmimeve të lëndëve djegëse, duke përfshirë edhe shkurtimet në konsumin e energjisë elektrike për publikun.

Kryeministri belg ka bërë të ditur se termostati në ndërtesat publike do të vendoset në 19 gradë në dimër, teksa përdorimi i kondicionerëve do të jetë i kufizuar. Është parashikuar gjithashtu edhe fikja e dritave në ambientet publike në orën 19.00.

Edhe gjermania ka ndërmarrë të tjera masa për të kursyer sa më shumë energji. Nga 1shtatori të gjitha dyqanet nuk do të lejohen të kenë reklama me ndriçim pas orës 22:00. Ndërsa do të hiqen dhe projektorët ndriçues nga monumentet dhe ndërtesat e tjera të ngjashme.

Qeveria franceze ka bërë të ditur se deri në fund të këtij viti synon të reduktojë konsumin e energjisë me rreth 10% , teksa po përgatisin një tjetër paketë për të ndihmuar qytetarët.

Spanja po merr masa drastike për të ulur taksat për shitjet e gazit natyror, në mënyrë që të reduktojë presionin e kostove të larta të energjisë për shumë familje.
Konkretisht, kryeministri i Spanjës , Pedro Sanchez, njoftoi se nga tetori TVSH-ja e lëndës djegëse do të bjerë në 5% nga 21% që është aktualisht.

Në një situatë të vështirë ndodhet edhe Italia. Faturat e energjisë për bizneset dhe familjet vijojnë të rriten, ndërsa qeveria nuk ka ende një plan të qartë. Në këto kushte kryetarët e komunave dhe provincave kanë dhënë alarmin se nëse nuk do të ndërhyhet do të ndërpresin çdo shërbim publik.

Nga ana tjetër edhe konfindustria ka paralajmëruar një krizë të thellë të bizneseve në rast se Rusia ndërpret plotësisht furnizimin me gaz për Italinë.

Mbi këtë situatë në Europë, Ministrat e Financave nga grupi i shtatë i vendeve më të industrializuar do të diskutojnë çmimin “tavan” të naftës ruse, propozuar nga administrata e presidentit Biden.
Udhëheqësit e G7-ës po diskutojnë si të krijojnë një kufi çmimi ndërsa po konsiderojnë dhe alternativa të tjera.

LEXO EDHE:

Back to top button