Frutat dhe perimet në Maqedoni kultivohen në toka të ndotura

Në Maqedoni, pemë dhe perime kultivohen në tokë jashtëzakonisht të ndotur ose ujiten me ujë të ndotur. Shkak për këtë janë mbetjet industriale që janë të pranishme në 16 lokacione në vend. Gjendja më alarmante është në Veles. Atje, sipas profesorit Trajçe Stafilov nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup, ndotja është jashtëzakonisht e lartë dhe kap radius prej 14 kilometra katrorë. Shkak i ndotjes së këtillë është fonderia e dikurshme në qytet. Ajo për herë të parë i ndezi furrat për shkrirjen e plumbit dhe zinkut në vitin 1973 dhe ka qenë në punë për gati 30 vjet. Në vitin 2003 përfundimisht u ndërpre linja e prodhimit. Megjithatë, deponia që ka mbetur është e mbushur me substanca toksike, si zinku, plumbi, bakri, arseni dhe tjera.

„… Era e shpërndan në sipërfaqet bujqësore dhe në përgjithësi në tokat në qytet dhe në ajër. Ekzaminimet kanë treguar se pothuajse të gjitha perimet e prodhuara në qytet dhe në afërsi janë të ndotura mbi sasinë  maksimale të lejuar sipas rregullave tona. Dhe për fat të keq ato konsumohen’ deklaroi Trajçe Stafilov, profesor në Fakultetin e Shkencave matematiko-natyrore.

 Ndotje të tokave bujqësore ka edhe në Shkup në rrethinën e fabrikës OHIS, si dhe rreth minierës së zinkut dhe plumbit në Probishtip dhe miniera jofunksionale për krom, arsen dhe antimon afër Llojanit. Ministria e Bujqësisë dhe Ekologjisë kompetencat dhe  përgjegjësinë për kontrollimin e ndotjes së tokave nga të cilat hamë produkte ia hedhin njëra-tjetrës. Megjithatë, nga Ministria e Mjedisit konfirmojnë se shteti nuk e ka rregulluar çështjen se si të zgjidhet problemi.

MINISTRIA E MJEDISIT

“Zgjidhja e ndotjes historike dhe përgjithësi zgjidhja e plotë e ndotjes së mjedisit kërkon qasje të integruar me përfshirjen e disa institucioneve kompetente në vend.”

Dhe përderisa institucionet nuk ndërmarrin asgjë, profesori Stafilov thotë se ata gjithçka kanë në pjatë. Vetëm duhet të sigurojnë projekte dhe para për të filluar zgjidhja e problemit të tokave të helmuara nga të cilat ne marrim ushqim.

Ior Stefanovski

LEXO EDHE:

Back to top button