“Gjaku i papastër”: Institucionet nuk japin detaje, hetimi mbetet top sekret

“Gjaku i papastër”: Institucionet nuk japin detaje, hetimi mbetet top sekret

Gazetar: Adnan Qaili

Skandali me Klinikën “Zhan Mitrev” mbetet enigmë nga institucionet shtetërore. Të gjitha organet thonë se kanë marr masa konform ligjeve, por asnjëra nuk tregon se cilat janë ato masa. Prokuroria Publike vazhdon ta mbaj procedurën para hetimore të klasifikuar nga publiku, megjithëse kallëzime penale për të njëjtin rast janë dërguar edhe nga vetë familjarët e pacientëve. Edhe Qeveria miratoi informacionet për studim të paligjshëm shkencor nga metoda e filtrimit të gjakut e bërë nga “Zhan Mitrev”, por duke mos thënë që se çfarë u vendos.

“Më 20 korrik 2022 është formuar komision për kryerjen e mbikëqyrjes së ekspertëve, dhe lidhur me aplikimin e metodës së hemo-filtrimit në trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Klinikën “Zhan Mitrev”, Shkup. Në periudhën e ardhshme Ministria e Shëndetësisë do të analizojë raportet e pranuara, pas së cilës do të ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore”, njoftojnë nga Qeveria e RMV-së.

Informacioni më konkret që kemi deri më tani është se më datë 18 korrik, në Odën e Mjekëve është dorëzuar një urgjencë në lidhje me kërkesën e paraqitur për kryerjen e mbikëqyrjes së ekspertëve për trajtimin e pacientit Nikolla Brezev, si pjesë e rrëfimit të IRL-së nga 27 shtatori 2021, dhe në bazë të iniciativës së dorëzuar për mbikëqyrje profesionale nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor.

Ish-Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe dhe ish-zëvendësministri Ilir Hasani, të cilët ishin në funksion në kohën e pandemisë, akoma mbeten të pakapshëm për mediat që të komentojnë këtë skandal. Nga zyra për komunikim me publikun e Klinikës Zhan Mitrev thanë se janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante. Sipas tyre, kanë dorëzuar dosjet në fjalë, në tri organe shtetërore.

“Gjatë këtyre ditëve drejtoria e Klinikës Zhan Mitrev i ka dhënë të gjitha dokumentacionet e duhura Prokurorisë Publike. Gjithashtu, kemi dorëzuar dosjet e kërkuara në afat ligjor në Agjencinë e Barnave Malmed dhe në Inspektoratin shtetëror sanitar shëndetësor”, thonë nga Klinika private “Zhan Mitrev”.

Pas konferencës së djeshme për media të Ministrisë së Shëndetësisë për të gjeturat e hulumtimit “Gjaku i papastër”, kanë reaguar IRL, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqata maqedonas e juristëve të rinj. Sipas tyre, Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Oda e Mjekëve dhe Agjencia e Barnave, u përpoqën të relativizojnë hulumtimin nga dokumentari i RLS. Ato bëjnë thirrje që Prokuroria të shqyrtojnë dëshmitë e familjarëve që kanë humbur jetën pacientët nga infeksionet intra-klinike gjatë pandemisë në Klinikën private Zhan Mitrev./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button