Gjuriq reagon pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit
Gjuriq reagon pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka dënuar sulmin e fundit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Në një deklaratë zyrtare, ai e ka përshkruar këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe infrastrukturës jetike të rajonit.
“Ibër-Lepenci është një rrugë ujore jetike për prodhimin e energjisë elektrike, bujqësinë, furnizimin me ujë të pijshëm dhe mirëqenien e përgjithshme të komuniteteve për të cilat ai shërben”, tha diplomati serb dhe shtoi se “sulme të tilla shkatërruese janë të papranueshme dhe vetëm sa shtojnë tensionet në një kohë kur përpjekjet duhet të përqendrohen në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.
Gjuriq deklaroi se Serbia është e gatshme të ndihmojë financiarisht dhe teknikisht në riparimin e dëmeve të kanalit Ibër-Lepencit.
Ai bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të plotë dhe transparent për të identifikuar përgjegjësit e këtij akti sabotimi.
Në përfundim të deklaratës së tij, Gjuriq apeloi për qetësi dhe përkushtim ndaj dialogut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për të shmangur eskalimin e mëtejshëm të situatës.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të rezistojnë ndaj provokimeve dhe të vendosin në prioritet dialogun dhe bashkëpunimin. Serbia mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje të qetë, të begatë dhe të bashkuar për të gjithë Ballkanin”, përfundoi ai.