Gjykata Kushtetuese është duke punuar për një ligj për punën e saj

Gazetare: Fatlume Dervishi

As me reformën që Gjykatën Kushtetuese nuk do të parashihet votimi me Badenter. Kreu i këtij institucioni përsëriti qëndrimin e tij kundër këtij mekanizmi, në konferencën për përforcimin e kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ai mekanizëm është i përshtatshëm për organe politike si Kuvendi dhe është mekanizëm i shëndetshëm. Por, në Gjykatën Kushtetuese që është institucion juridik futja e këtij mekanizmi, nënkuptojnë që është më mirë të mbyllet sesa të futet ai mekanizëm. Sepse në atë rast nuk do të vendosin argumentet juridike por argumentet e tjera”, deklaroi Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Konferenca u fokusua në nevojën për një ligj për Gjykatën Kushtetuese si dhe inkorporimin e padisë kushtetuese si mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve.

“Gjykata Kushtetuese e vendit është i vetmi në Evropë që nuk ka ligj të vetin. Gjashtë dispozita dhe aktin e gjykatës, aq. Është e nevojshme që këto të operacionalizohen në ligj por jo çfarëdo ligji. Duhet të jetë ligj prej 2/3 që garanton pavarësinë. Edhe për ligjin duhet bazë Kushtetuese, edhe për inkorporimin e padisë kushtetuese duhet ndryshime kushtetuese”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Por, edhe Kostadinovski, edhe kryeminsitri Hristijan Mickoski, u dakorduan se kushte për ndryshime kushtetuese, për momentin nuk ka.

“Ndryshimi i Kushtetutës është temë politike e cila në këtë rast përfshin edhe temë juridike ose nevojën që më në fund gjykata kushtetuese të marrë peshën e tij në Kushtetutë. Paramendoni, Gjykata Kushtetuese nuk ka peshë në Kushtetutë. Që nga pavarësia dhe deri më sot kjo zvarritet. Tani ne jemi në situatë që ngarkesat nga e kaluara t’I zgjidhim dhe do t’I zgjidhim por kur të krijohen kushtet politike. Për momentin ata kushte politike nuk janë krijuar”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Mickoski në konferencë kërkoi nga Gjykata Kushtetuese, që gjatë vendimeve të saj të ketë parasysh peshën dhe pasojat e tyre në shoqëri.

Projekti dhe zhvillimi i kapaciteteve në Kushtuese mbështeten nga BE-ja dhe OSBE-ja. Ambasadorët thanë se në vend ka disa mekanizma për mbrojtjen e të drejtave themelore, por nevojiten përforcime.

“Ne nuk duam të promovojmë një model të vetëm por ajo që duam është të arrijmë qëllimin e njëjtë; njerëzit të kenë qasje te drejtësia kushtetuese atëherë kur e ndjejnë se të drejtat themelore janë shkelur”, tha Mihalis Rokas, Ambasador i BE-së.

“Vetëm 75 ankesa që lidhen me të drejtat e njeriut janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese në periudhën 2019 – 2024 që është vetëm 5.9% e vëllimit të punës. Nga ana tjetër, 1961 aplikime u dorëzuan në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut që thekson boshllëkun në qasje dhe efektivitet të mekanizmave vendor”, thotë Kilian Val, Ambasador i OSBE-së.

Paditë kushtetuese, nëse inkorporohen në sistemin juridik të vendit, do të mund të dorëzohen nga secili qytetarë që vlerëson se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore nga ndonjë instancë e vendit. / Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button