Gjykimi i ish-eprorëve të UÇK-së “në të ardhmen”

Ka kaluar një vit prejse ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe ende nuk dihet një datë se kur do të nisë procesi gjyqësor ndaj tyre, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përkundër faktit se kanë kaluar gjithë këta muaj që nga arrestimi i tyre, Zyra e Prokurorit të Specializuar, deri më tani, nuk ka arritur që të dorëzojë në gjykatë dosjen paraprake për këtë rast, e cila përmban përmbledhje të provave, që Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprës së pretenduar penale.

Një gjë të tillë, Zyra e Prokurorit të Specializuar është urdhëruar që ta bëjë deri më 17 dhjetor të këtij viti – afat ky i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

I shqetësuar me procedim të ngadaltë të materialeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar shprehet në një bisedë me Radion Evropa e Lirë avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

Kehoe thotë se Prokuroria ka kërkuar vazhdimisht shtyrje të afateve për dorëzim të materialeve, duke dhënë arsyetime të ndryshme për vonesat, përfshirë arsyetimin për volumin e madh të dokumenteve, të dëshmive, të provave dhe të materialeve të tjera, si dhe mungesën e stafit për t’i proceduar ato.

“Është e vështirë të thuhet se sa materiale kemi pranuar, kur nuk e dimë edhe sa të tjera do të na vijnë”, thotë Kehoe.

Në muajin nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit para Gjykatës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se synon që gjykimi ndaj tyre të fillojë më së largu në verën e vitit 2021.

Gjatë fjalës së Prokurorisë është thënë se janë mbi 1,500 prova të ndryshme që duhet të administrohen, si dhe mbi 150 dëshmitarë.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, thotë se vonesat në dorëzimin e materialeve nga ana e Prokurorisë, kanë të bëjnë me faktin se, sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë pa qenë e gatshme për këtë proces.

“Arsyet janë të ndryshme, por numër një është se ata [Zyra e Prokurorit të Specializuar] kanë ngritur aktakuzë përpara se të jenë gati. Klientët tanë janë në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar, më shumë se një vit, dhe kur Prokuroria ka ngritur aktakuzën, ata kanë thënë se do të jenë gati për ta gjykuar këtë rast në pranverën e vitit 2021”, thotë Kehoe.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të duhej t’i ndante dokumentet sipas procedurës shumë kohë më parë.

“Ata ende nuk janë gati ta bëjnë këtë. Ata ende nuk i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet dhe vazhdimisht kanë kërkuar kohë shtesë për të dorëzuar atë që do të duhej të ishte dorëzuar shumë kohë më parë, marrë parasysh faktin se, vitin e kaluar, kanë thënë para gjykatës se do të jenë gati të procedojnë në pranverë”, shprehet Kehoe.

Ai shton se shumë dokumente të Prokurorisë janë të redaktuara tej mase dhe se vështirë kuptohet se për çfarë flasin dëshmitarët.

“Shumë shpesh kur kemi deklarata të dëshmitarëve që janë të redaktuara në mënyrë të rreptë, është shumë e vështirë për mua dhe stafin tim, si dhe për njerëzit që i rishikojnë këto informacione, të kuptojnë plotësisht atë se çfarë dëshmitari është duke thënë. Shumë, shumë e vështirë”, thotë Kehoe.

Ellis: Prokuroria mund të mbahet përgjegjëse për vonesën

Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, Mark Ellis, thotë se nuk beson se fillimi i procesit gjyqësor për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin është duke u shtyrë me ndonjë qëllim.

Ai thotë se në bazë të asaj që është parë deri më tani, në Dhomat e Specializuara është bërë një punë e madhe, duke përfshirë edhe zhvillimin e tetë konferencave statusore.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në konferenca të tilla, Prokuroria tregon se çfarë lloj provash disponon.

“Nëse Gjykata konstaton se prokurori është duke i neglizhuar me qëllim detyrimet dhe obligimet e tij, kjo do të shkonte në favor të zotit Thaçi që të lirohej me kusht. Dhe, po ashtu, Gjykata do ta mbante përgjegjës prokurorin për çdo vonesë të mëtejshme”, thotë Ellis për Radion Evropa e Lirë.

Ellis thotë se, sipas ligjeve ndërkombëtare, gjithkush gëzon të drejtën që të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe se çdo vonesë e Prokurorisë në procedim të rastit është po ashtu shqetësim për Gjykatën.

“Gjykata do të jetë shumë më shumë e shqetësuar nëse rasti zvarritet, zvarritet dhe zvarritet dhe, në të njëjtën kohë, zoti Hashim Thaçi mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë”, thotë Ellis.

Në konferencën e fundit statusore, që është zhvilluar më 29 tetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se ka rishikuar me kujdes resurset njerëzore dhe se më 17 dhjetor do të dorëzojë dosjen paraprake./REl

LEXO EDHE:

Back to top button