Gazetar: Suad Bajrami
Gjykata Supreme ia zhveshi togën e zezë gjyqtarit kundërthënës Enver Bexheti, figurës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në “Listë të Zezë” për korrupsion pasi që në bashkëpunim me ish zëvendëskryeministrin e arratisur Artan Grubi, e kanë ndihmuar për ta shpëtuar ish shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov, i cili gjithashtu ndodhet në Listë të Zezë prej vitit 2022. Vendimi zyrtarisht është marrë më 3 shtator, ndërsa Këshilli Gjyqësor e ka publikuar në Gazetën Zyrtare më 24 shtator.
Ndërkohë, ende nuk ka asnjë epilog nga lënda që e ka hapur Prokuroria e Lupço Kocevskit për të siguruar prova për përgjegjësinë eventuale të Bexhetit, të cilin e ka evidentuar Departamenti Amerikan i Shtetit.
Emri i Enver Bexhetit jo pak herë është lakuar në kontekst negativ nëpër raportet ndërkombëtare. Veprimet e tij për mbajtjen e lëndëve në sirtarë edhe para se të futet në “Listën e Zezë” amerikane, u përmendën në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian. Për veprimet e tij, të cilat e shpëtuan ish drejtorin e shërbimit sekret nga burgu, në nëntor të vitit 2024 Bexheti u gjobit nga Këshilli Gjyqësor me vetëm 20 për qind të pagës për gjashtë muaj.
Bexheti i cili së fundmi ushtronte detyrën e gjyqtarit të Apelit, nëpërmjet rrugëve politike tentoi të bëhet gjykatës suprem, por përpjekja e tij nuk kaloi në Këshillin Gjyqësor, ku më pas në formë që në opinion u interpretua si hakmarrje, krahu që e mbështeste Bexhetin për gjykatës suprem, organizoi puç kundër ish kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
Derisa ushtroi detyrën e gjykatësit të Apelit, ai kishte udhëhequr lëndët më të mëdha kundër ish funksionarëve të dënuar, ndër to rastin “Target-Fotesa”, ndërsa për zvarritjen e lëndës “Thesari” e kishte mbështetjen edhe të koleges së tij Lirije Elezi.
Ruajtja në sirtarë e këtyre veprave kishte bërë që Mijallkov pavarësisht se i dënuar me shumë vite burg për disa vepra, të qëndronte në liri dhe të tregtonte me drejtësinë./ Alsat.mk








