Gazetar: Suad Bajrami
Tetë të akuzuarit për keqpërdorimin e 9,7 milionë euro në Lotarinë Shtetërore kundërshtojnë provat e Prokurorisë. Në seancën e sotme publike, avokatët e Përparim Bajramit, Artan Grubit dhe të akuzuarve të tjerë, kontestuan një nga një 231 provat që organi i akuzës i prezantoi në seancën e kaluar. Sipas tyre, nuk janë të vërteta pretendimet se aparatet VLT për lojëra elektronike të fatit janë blerë pa nevojë.
“Vërejtja kryesore është që atë marrëveshje të cilën e ka Kazinos Austria, ka ekskluzivitet vetëm për rregullimin elektronik të lojërave të fatit. Në lidhje me automatet, gjegjësisht furnizimin dhe rregullimin e lojërave të fatit me automate, atë ekskluzivitet nuk e ka as në marrëveshjen që është nënshkruar me Kazinos Austria, as që e ka në marrëveshjen gjatë themelimit të vetë shoqërisë. Me atë ekskluzivitet nuk është transferuar ajo e drejtë”, thha Elenko Millanov, Avokat i Përparim Bajramit.
Në anën tjetër, mbrojtja pretendon se nuk ka keqpërdorim financiar, meqë aparatet të cilat janë blerë edhe sot mund të vihen në funksion.
“Në asnjërën pjesë të kësaj akuze, në lidhje me asnjë të këtyre personave, nuk konstatohet se me furnizimin e këtyre aparateve, cilido ka përfituar dobi të paligjshme pasurore për vete. Ato aparate edhe sot e kësaj dite ndodhen në Lotarinë e Maqedonisë, ndërsa gjatë rrjedhës së mëtutjeshme të procedurës, besoj se do ua dëshmojmë, para se gjithash gjykatës, por edhe të gjithëve se ai furnizim është vetëm në dobi, pasi këto aparate duke e pasur parasysh edhe çmimin, vlejnë ndjeshëm më shumë dhe munden në çdo moment të efektuohen nga Sh.A. Lotaria e Maqedonisë”, shtoi Millanov.
Gjatë seancës së kaluar, prokurorët e çështjes Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski dy orë lexuan titujt e 231 provave materiale. Në mesin e provave kishte dokumente të ndryshme nga vendimet e miratuara nëpër seanca të ndryshme në Lotarinë Shtetërore, por edhe në Qeveri. Pjesë e provave ishin edhe planet financiare të institucioneve, procesverbale, por edhe dokumente që lidhen me procedurën e furnizimit të aparateve VLT.
Të akuzuarit Prokuroria i mban përgjegjës për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” pasi sipas saj, kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e VLT aparateve për lojëra elektronike të fatit për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse të njëjtat asnjëherë nuk janë përdorur, pasi që Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. /Alsat.mk.








