Grupi i Berishës gjeti derën e selisë mbyllur, Bardhi: Po bëjmë punime!
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike në Shqipëri Gazment Bardhi deklaroi jashtë selisë blu se dyert e PD-së qëndrojnë të mbyllura për shkak se brenda saj po bëhen punime. Bardhi u shpreh se mbështetësit e Berishës e kanë gjetur derën mbyllur pasi nuk kanë marrë në telefon administratën për të njoftuar për vizitën. Ai shtoi se asnjë trafikant droge nuk do të lejohet të futet në godinën e PD.
“Ky show mediatik që patë para pak minutash në shkallët e PD, tregon që për disa show dhe tallja e vijueshme me demokratët ka zëvendësuar betejën me regjimin e demokratëve. Ky është një fakt i njohur publik dhe nuk ka nevojë për të ardhur në dyert e partisë. Dyert e partisë nuk do të qëndrojnë të mbyllura. Ju do të hyni dhe do të shikoni që në selinë qendrore të PD po shtohen ambientet e punës se koha e llafeve ka mbaruar më 18 Dhjetor. Institucionet e partisë janë në betejë me regjimin e Edi Ramës. Selia ka qenë është dhe do vazhdojë të jetë e hapur për çdo demokrat që punon me mund dhe djersë për PD dhe do jetë e mbyllur për çdo trafikant droge që ka qenë në krah të Berishës dhe mbështetësve të tij. Aktet e dhunës nuk i shërbejnë demokratëve por forcimit të regjimit të Edi Ramës. Aktet e dhunës janë e vetmja formë që i ka ngelur pakicës në PD.
Shumica dërrmuese e anëtarëve të këshillit kombëtar në 18 Dhjetor kanë zgjedhur të ardhmen, interesin e PD dhe kanë ndaluar në mënyrë përfundimtare që fenomeni i bunkerizimit të një individi të kthehet në bunkerizim për të gjithë PD dhe për ta shpallur të gjithë partinë non grata. Kjo nuk ka për të ndodhur. Skenarët me akte dhune kanë për të dështuar. PD që nga data 18 Dhjetor janë të fokusuar në betejën me regjimin e Edi Ramës. Nëse ti vjen tek dera ndërkohë që nuk njofton administratën e PD, brenda selisë së PD janë duke u kryer punime. Ashtu si unë marr në telefon kur futem në seli dhe nënkryetarët e parisë marrin në telefon administratën për të hyrë në seli.








