Hagë ka vazhduar gjyqi kundër Salih Mustafës

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar gjyqi kundër Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet për krime lufte. Në po këtë ditë është paraqitur edhe dëshmitari i parë në rastin kundër Mustafës. Dëshmitarit i është fshehur identiteti për çështje të sigurisë. Prokurori Michalczuk, ka qenë i pari që ka nisur t’i shtrojë pyetje dëshmitarit, i cili ka thënë se dy persona e kanë ndaluar në rrugë, të cilët kanë qenë të veshur me uniforma, që sipas tij kanë qenë lara-lara “sikur ato që ka mbajtur UÇK-ja”. Megjithatë, dëshmitari ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë emblemë, pasi atij menjëherë pas ndalimit ia kanë futur kokën në thes. Kur është pyetur se pse mendon që personat që e kanë ndaluar kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ai ka thënë se, “ashtu më janë prezantuar”. Përgjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se personat që e kanë ndaluar e kanë akuzuar se ka bashkëpunuar me serbë. Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar. Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

 

LEXO EDHE:

Back to top button