Hagë, Kadri Veseli deklarohet i pafajshëm

Në paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë, ish kryetari i Kuvendit Kadri Veseli hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Veseli tha se është i pafajshëm për të gjitha pikat që e ngarkon kjo Gjykatë.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të fortë se jam tërësisht i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës- deklaroi Kadri Veseli, Ish kryetar i Kuvendit.

Të mërkurën para Dhomave të Specializuara pritet të dalë deputeti Rexhep Selimi. Paraqitjen e parë dje e kishin edhe ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Që të dy u deklaruan të pafajshëm duke hedhur poshtë akuzat. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë të përfshirë në një aktakuzë të përbashkët. Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzë për krime lufte edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, i cili tashmë është deklaruar i pafajshëm për veprat që rëndojnë ndaj tij.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button