Haradinaj refuzon të paraqitet para Dhomave të Specializuara

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka refuzuar që të marrë pjesë në seancën para Dhomave të Specializuara, ku duhej që të deklarohej fajtor apo i pafajshëm lidhur me aktakuzën që ky institucion ka ngritur ndaj tij.

Në seancën që u mbajt të premten në Hagë, pala mbrojtëse e Haradinajt tha se ai nuk do të marrë pjesë në këtë seancë “si protestë për mënyrën se si është trajtuar”.

Me këtë rast, gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, tha se ai do të bëjë deklarim të pafajësisë në emër të Haradinajt “në të gjitha pikat e aktakuzës”.

Pas kësaj, pranë Dhomave të Specializuara u mbajt konferenca statusore në rastin e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit. Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

LEXO EDHE:

Back to top button