BE-ja pret zgjedhje të standardeve evropiane në Kosovë

Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet e parakohshëme parlamentare në Kosovë, të caktuara të mbahen me datën 14 shkurt, të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithpërfshirëse. Këtë deklaratë BE-ja e bëri pasi ushtruesja e detyrës së presidentës Vjosa Osmani, shpërndau parlamentin e Kosovës dhe shpalli datën e zgjedhjeve pas publikimit të plotë të vendimit  të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti e cilësoi të jetë zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për shkak të një vote të një deputeti të dënuar me vendim të shkallës së prerë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Ana Pisonero, tha se i takon qytetarëve  të Kosovës të zgjedhin lidershipin e vet, ndërsa, për BE-në është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

“Ne jemi në dijeni për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 14 shkurt. Bashkimi Evropian pret zgjedhje të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë, të zhvilluara në përputhje me standardet evropiane, në mënyrë që Kosova të lëvizë përpara”, tha Pisonero, duke shtuar se “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë i angazhuar në Kosovë, për të promovuar agjendën e integrimeve evropiane dhe reformave të domosdoshme”.

Pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mediet e Kosovës u ngrit dilema nëse në këto zgjedhje do të mund të garojë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti,  sepse, edhe Kurti dhe disa zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes janë të dënuar me një vendim të prerë të Gjykatës për shkak se kishin hedhur gazlotësjellës në parlament në vitin 2015. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se çdokush që ka një vendim për një vepër penale në tri vitet e fundit, përjashtohet nga mundësia për kandidim. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani e ka quajtur absurd dhe kaotik në interpretim vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet të cilit çdokujt që është i dënuar me vendim të plotfuqishëm i pamundësohet gara për deputet. Sipas Hasanit, nëse praktikohet ky standard atëherë ka rrezik që Kurtit t’i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje.\DW

LEXO EDHE:

Back to top button