Harrohet ligji për mbrojtje nga duhani, deputetët presin mendimin e ekspertëve

" "

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ligji që pritej të sillte ndryshime të mëdha dhe rregulla të rrepta për përdorimin e duhanit, në ambiente te hapura dhe të mbyllura, ka ngecur pa miratuar dhe nuk ka asnjë plan për zhbllokimin e tij. Edhe pse fillimisht ishte paralajmëruar se rregullat e reja do të fillonin të zbatoheshin nga 1 marsi, shtatë muaj më vonë propozim ligji vazhdon të mbetet në procedurat parlamentare. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk përgjigjen nëse kanë plan për zhbllokimin e ligjit dhe si do të pozicionohen ndaj kërkesave të gastronomëve dhe kompanive të cilat u pozicionuan kundër ligjit.

Ligji ka arritur në leximin e dytë në Komisionin për shëndetësi, por procedura është bllokuar pas dorëzimit të tetë amendamenteve. Deputetët kanë kërkuar edhe mendime shtesë nga ekspertë vendas dhe nga kompanitë që merren me prodhimin e produkteve të duhanit.

Nga Kuvendi thonë se procedura do të vazhdojë pasi të mbërrijnë mendimet e kërkuara.

Një nga amendamentet që ka shkaktuar debat parashikon mundësinë e krijimit të dhomave për duhanpirës në restorante dhe kafene. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, është shprehur kundër këtij propozimi dhe thotë se ai mund të krijojë hapësirë për anashkalimin e qëllimit të ligjit. Sipas Klekovskit, dhomat e veçanta me pajisje për qarkullim dhe presion negativ, sipas standardeve, janë vështirë të realizueshme. Klekovski thotë se Ministria ka pasur dialog me gastronomët dhe aktorë të tjerë dhe se zgjidhja e propozuar nga Ministria konsiderohet optimale.

Ndërkohë, gjatë procedurës parlamentare, propozim-ligji ka pësuar disa ndryshime krahasuar me versionin fillestar, i cili u prezantua si dukshëm më restriktiv. Në vend të ndalimit të plotë të pirjes së duhanit në objektet e gastronomisë, parashikohen tarraca të veçanta ku do të lejohet pirja e duhanit. Ato duhet të jenë të hapura nga të paktën dy anë dhe me çati të hapur, ndërsa do të parashikohet edhe hyrje e veçantë për joduhanpirësit. Për përshtatjen e tarracave është paraparë afat prej një viti.

Ndalimi i plotë do të vlejë për hapësirat e mbyllura, stacionet e autobusëve dhe hekurudhave, si dhe në automjete kur në to ndodhet fëmijë. Para institucioneve të caktuara, pirja e duhanit do të lejohet vetëm në distancë prej të paktën 20 metrash.

Ligji rregullon përdorimin, ndërsa nuk ndalon prodhimin, importin, eksportin dhe shitjen e produkteve të duhanit dhe pajisjeve elektronike./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button