Hasanbegu s’ka çerdhe në shqip për fëmijët

 Gazetare: Melihate Rustemi

Banorët e Hasanbegut edhe në vitin 2023 nuk do të kenë çerdhe fëmijësh në vendbanimin e tyre. Kreu i komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski tha se gjatë këtij viti do të përgatitet dokumentacioni projektues dhe ai urbanistik për t’i hapur rrugën procedurave të mëtejme. Sipas Stefkovskit, në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale tashmë janë dorëzuar kërkesat për çerdhe në lagjen Trubarevë dhe Keramidnicë.

“Në vitin e parë të mandatit filluam me përgatitjen e dokumentacionit projektues, dokumentacionit urbanistik për katër çerdhet e premtuara para banorëve dhe jam i sigurt se do të realizohen në mandatin tim. Unë shpresoj që këtë vit do ti përfundojmë dy fazat, punimin e projektit urbanistik dhe projektin. Sigurisht, me forcat tona dhe shpresojmë me mbështetje të pushtetit qendror do të fillojmë me realizimin e çerdhes edhe në vendbanimin Hasanbeg”, deklaroi Boban Stefkovski, kryetar i komunës Gazi Babë.

Banorët e Hasanbegut më shumë se një dekadë janë në pritje të ndërtimit të një çerdhe në gjuhën shqipe. Prindërit, zgjidhjen për fëmijët e tyre e kërkojnë në çerdhet me të afërta që mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase ose në çerdhet e Shkupit.

“Edhe atje duhet të intervenohet nëpërmjet të njohurve që me arrit me i dërguar fëmijët në çerdhe. Sivjet kemi pas rast, unë personalisht kam pas rast ku është dashur me intervenu diku për me dërgu në çerdhe. Kemi shumë nevojë për çerdhe në Hasanbeg. Paramendo në çfarë kohe jetojmë, në shekullin 21 jemi ende pa çerdhe”, tha një banor.

 “Asgjë nuk u bë për çerdhen, vetëm flitet, i marrin votat dhe asgjë nuk ka. 4 mijë shtëpi i ka Hasanbegu e s’ka çerdhe, si nuk ka nevojë. Nuk e di çka bëjnë, flasin por asgjë nuk bëjnë. Ka plot që i dërgojnë në Shkup, në Maxhari, nuk e di çka është puna”, u shpreh një tjetër banor.

 “Tre mijë shtëpi janë bë, nga një fëmijë, tre mijë fëmijë, mos të jenë tre mijë fëmijë, 200. Ndoshta edhe më shumë duhet, dy ose tri por njëherë të bëhet njëra”, deklaroi një banor.

Premtime për ndërtimin e çerdhes në Hasanbeg ka pasur edhe në të kaluarën. Premtimi i fundit për nisjen e ndërtimit ishte gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale. Parcela ku pritet të ndërtohet objekti ishte e rrethuar pasi ish kreu i kësaj komune Boris Georgievski kishte paralajmëruar ndërtimin pavarësisht se ai dhe kabineti i tij nuk kishin të përgatitur asnjë plan ideor e asnjë dokument tjetër që kishte të bëj me procedurën e nisjes së punimeve ndërtimore. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button