Haxhiu paralajmëron padi ndaj Serbisë për gjenocid

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës Albulena Haxhiu theksoi se nuk do të heqë dorë nga vettingu përkundër kundërshtimeve nga Bashkimi Evropian. Në Raportin e Progresit për Kosovën në vitin 2021 këtë nismë, BE e ka konsideruar shqetësuese, ndërsa ka këshilluar që të fuqizohen mekanizmat ekzistues për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përkundër kësaj, Haxhiu beson që procesi i vettingut është reforma më e thellë në sistemin e drejtësisë për çka tashmë ekziston edhe drafti i parë i amendamenteve kushtetuese, duke shtuar se është koha e fundit që të avancohet me procesin e vetingut. Ndërkohë Haxhiu në një intervistë për Kosovapress ka theksuar se po përgatitet ngritja e padisë ndaj Serbisë për gjenocid ndaj popullatës shqiptare në Kosovës. Megjithëse, padia është kompetencë e Zyrës së Kryeministrit, ministrja Haxhiu theksoi se gjatë vitit të kaluar kanë zhvilluar disa takime dhe janë duke përzgjedhur ekspertët që do ndihmojnë Kosovën në këtë drejtim.

“Tashmë kemi pasur disa takime në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ku kemi diskutuar për këtë çështje, është ndër proceset më të ndjeshme që është po ashtu pjesë e programit tonë qeverisës mirëpo për shkak të natyrës së çështjes ne nuk mund të flasim si për çështjet e tjera që flasim për korrupsionin e krimin e organizuar apo për vettingun e sistemit të drejtësisë. Prandaj, jemi duke punuar në këtë drejtim dhe jemi duke parë profilet e ekspertëve që do na ndihmojnë në këtë drejtim, po ashtu bazën ligjore të cilën duhet ta adresojmë për ta bërë një padi për gjenocid dhe kjo është në kompetencë së Zyrës së Kryeministrit, por ju siguroj që jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, Kosovë./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button